Daullja e tifozëve norvegjezë shitet në ankand

Futboll

Daullja e tifozëve norvegjezë shitet në ankand

Më: 27 tetor 2026 Në ora: 13:33
Haaland

Daullja që u bë simbol i tifozëve norvegjezë gjatë Botërorit 2026 është shitur në ankand për 1.3 milionë korona norvegjeze, mbi 124 mijë euro.

Ajo u ble nga një biznesmen norvegjez, pas një gare të fortë ofertash, ndërsa e gjithë shuma do të shkojë për bamirësi.

Gjatë kampionatit, daullja shoqëroi kombëtaren norvegjeze në stadiume dhe u kthye në një nga simbolet e tifozerisë.

Ajo tërhoqi vëmendjen edhe gjatë pritjes së ekipit pas kthimit në atdhe, ku u përdor nga ylli i kombëtares, Erling Haaland.

Ankandi u organizua nga televizioni publik norvegjez, në kuadër të një fushate për mbledhjen e fondeve në ndihmë të refugjatëve, të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre për shkak të luftërave dhe krizave humanitare.

Pronari i ri pranoi se nuk e kishte pritur që çmimi të arrinte një shifër kaq të lartë.

Ai tha se vendimi për ta blerë daullen ishte spontan, por theksoi se më e rëndësishmja është që paratë do të shërbejnë për një kauzë të mirë.

Ende nuk dihet nëse daullja do të ekspozohet për publikun apo do të mbetet në një koleksion privat.

Megjithatë, ajo tashmë ka lënë gjurmë përtej fushave të futbollit, duke u kthyer në një simbol solidariteti dhe ndihme për njerëzit në nevojë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat