Kuqezinjtë kërkojnë rikthimin te fitorja, zikaltërit synojnë të ruajnë vendin e parë

Futboll

Kuqezinjtë kërkojnë rikthimin te fitorja, zikaltërit synojnë të ruajnë vendin e parë

Më: 30 tetor 2026 Në ora: 14:02
Pamje nga ndeshja

Milani dhe Interi rikthejnë vëmendjen te futbolli dhe rivaliteti i tyre historik.

Dy skuadrat e Milanos përballen në derbin e Madonninës, një nga sfidat më të shumëpritura të sezonit.

Milani vjen në këtë sfidë pas humbjes 4-2 ndaj Bolonjës, një rezultat që riktheu pikëpyetjet mbi qëndrueshmërinë e repartit defensiv.

Kuqezinjtë kanë grumbulluar 18 pikë pas nëntë javësh kampionat, duke u pozicionuar në vendin e katërt të renditjes. Një fitore në derbi do të ishte reagimi ideal për skuadrën e Ruben Amorim.

Në krahun tjetër, Interi vjen në këtë përballje në një moment pozitiv, me tetë fitore në nëntë ndeshjet e para të kampionatit.

Zikaltrit kryesojnë renditjen me 25 pikë, në kuotë të barabartë me Lazion, dhe synojnë të vijojnë serinë e rezultateve pozitive edhe në derbin ndaj rivalëve të qytetit.

Megjithatë, statistikat e përballjeve të fundit flasin në favor të Milanit.

Pas gjashtë humbjeve radhazi ndaj rivalëve zikaltër, kuqezinjtë kanë ndërtuar një seri prej shtatë ndeshjesh pa humbje në të gjitha kompeticionet, me pesë fitore dhe dy barazime.

Një ecuri që nuk ishte regjistruar prej më shumë se dy dekadash në këtë rivalitet.

Edhe sezonin e kaluar, Milani triumfoi në të dyja përballjet e kampionatit, në të dyja rastet me rezultatin 1-0. Problemet fizike nuk mungojnë në të dyja kampet.

Milani duhet të bëjë llogaritë pa Fikayo Tomorin, Ruben Loftus-Cheek, Diego Moreira dhe Adrien Rabiot, ndërsa Interit do t’i mungojë kapiteni Lautaro Martinez, një prej lojtarëve më vendimtarë të skuadrës zikaltër. Derbi i Madonninës luhet më 31 tetor, në orën 20:45.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat