Uran Bislimi asiston, Lugano nuk ka të ndalur! Skuadra e Xherdan Shaqirit në krizë rezultatesh

Futboll

Uran Bislimi asiston, Lugano nuk ka të ndalur! Skuadra e Xherdan Shaqirit në krizë rezultatesh

Nga: K.Goca Më: 1 nëntor 2026 Në ora: 18:31
Futbollisti Uran Bislimi, me numrin 25, feston së bashku me bashkëlojtarët fitoren ndaj Baselit

Futbollistët shqiptarë të Luganos, Uran Bislimi dhe Albian Ajeti, po vazhdojnë me paraqitje të mira në kampionatin zviceran.

Lugano ka regjistruar fitoren e pestë radhazi, duke e mposhtur sot me rezultat 2:1 Baselin e kapitenit Xherdan Shaqiri.

Në anën tjetër, Baseli po kalon një periudhë të vështirë, pasi kjo ishte ndeshja e katërt radhazi pa fitore.

Lugano kaloi në epërsi në minutën e 10-të, pas një aksioni fantastik të nisur nga Uran Bislimi.

Mesfushori shqiptar, me pjesën e jashtme të këmbës, e çau mesfushën e Baselit me një pasim të shkëlqyer dhe e dërgoi topin te Dos Santos në thellësi. Behrens vrapoi në qendër për ta mbështetur aksionin, por Dos Santos vendosi të godiste vetë dhe ia doli me sukses. Nga një kënd shumë i ngushtë, ai befasoi portierin Omlin, duke shënuar për 1:0.

Në minutën e 27-të, Papadopoulos dha një pasim fantastik diagonal nga krahu i djathtë drejt Cimignanit, i cili goditi nga rreth 18 metra dhe e mposhti Omlinin për 2:0.

Baseli reagoi në minutën e 37-të. Pas një goditjeje nga këndi të ekzekutuar nga Xherdan Shaqiri, Michel e devijoi topin me kokë drejt Otele, i cili gjithashtu shënoi me kokë, duke e ngushtuar rezultatin në 2:1.

Shaqiri luajti 65 minuta

Kapiteni Xherdan Shaqiri u paraqit titullar te Baseli, ashtu si Uran Bislimi te Lugano. Mesfushori i Luganos u ndëshkua me karton të verdhë në minutën e 16-të, ndërsa Shaqiri e mori të njëjtin ndëshkim në fund të pjesës së parë. Shaqiri u zëvendësua në minutën e 65-të.

Ajeti u aktivizua në minutën e 73-të

Sulmuesi shqiptar Albian Ajeti u inkuadrua në lojë në minutën e 73-të për Luganon dhe pati një paraqitje të mirë.
Lugano po kalon një sezon fantastik dhe vazhdon të mos njohë humbje në kampionat. Në 12 ndeshje të zhvilluara, skuadra ka regjistruar 11 fitore dhe vetëm një barazim.

Lugano kryeson tabelën me 34 pikë, nëntë më shumë se Young Boys, që renditet në vendin e dytë, ndërsa Baseli mban pozitën e shtatë me 14 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat