Eintracht Frankfurti regjistron fitoren e dytë brenda pesë ditësh ndaj Hamburgut, këtë herë në kampionat, me rezultat 3:1.
Eintracht Frankfurti ka shënuar fitore me rezultat 3:1 ndaj Hamburgut, në ndeshjen e javës së tetë të Bundesligës gjermane.
Kjo ishte fitorja e dytë brenda pesë ditësh për Frankfurtin ndaj të njëjtit kundërshtar, pasi më herët e kishte mposhtur Hamburgun edhe në Kupën e Gjermanisë.
Vendasit e nisën më mirë takimin dhe kaluan në epërsi në minutën e 10-të. Pas një pasimi të bukur të futbollistit Uzun drejt Chaibit, Omari ndërhyri për ta larguar topin, por gabimisht e dërgoi në rrjetën e portës së tij për 1:0.
Hamburgu reagoi shpejt dhe barazoi në minutën e 14-të. Pas një aksioni të mysafirëve, Gronbaek asistoi te Moffi, i cili realizoi për 1:1.
Në pjesën e dytë, Frankfurti riktheu epërsinë që në minutën e 47-të.
Pas një goditjeje me kokë të Brassier, portieri Heuer Fernandes e ktheu topin në lojë, ndërsa Onyedika përfitoi dhe shënoi për 2:1.
Në minutën e 69-të, Frankfurti vulosi fitoren. Uzun fitoi topin në mesfushë dhe asistoi te Ebnoutalib, i cili nga afërsia shënoi për rezultatin përfundimtar 3:1.
Me këtë fitore, Frankfurti ngjitet nga vendi i 14-të në të tetin me 11 pikë , duke parakaluar Hamburgun në renditjen tabelare. Hamburgu është në vend të 15-të me 9 pikë.