Erik ten Hag ka bërë një deklaratë të fortë për Cristiano Ronaldon, duke vënë në pikëpyetje nivelin e paraqitjeve të portugezit pas largimit nga Real Madridi dhe transferimit te Juventusi në vitin 2018.
Ish-trajneri i Manchester Unitedit, i cili gjatë kohës në “Old Trafford” pati marrëdhënie të tensionuara me yllin portugez, foli për të në një intervistë për “ESPN”, përcjell “Bota sot”.
Ten Hag e cilësoi Ronaldon si një prej futbollistëve më të mëdhenj në historinë e futbollit, por pretendoi se ai nuk ka arritur më të paraqitet në nivelin e tij më të lartë gjatë viteve të fundit.
“Pa asnjë keqkuptim, ai është një futbollist i jashtëzakonshëm dhe njëri prej më të mirëve në histori. Por realiteti është se gjatë shtatë apo tetë viteve të fundit ai nuk ka qenë më në gjendje të japë atë nivel. Që nga Juventusi, gjithçka kishte marrë fund”, deklaroi holandezi.
Ai u ndal edhe te vendimi i Real Madridit për ta shitur Ronaldon në vitin 2018, duke vlerësuar se klubi madrilen di ta identifikojë momentin e duhur për t'u ndarë nga futbollistët, kur ata fillojnë të humbasin nivelin e tyre.
Duke folur për periudhën kur të dy punuan së bashku te Manchester Unitedi, Ten Hag pretendoi se Ronaldo nuk ishte më në gjendje ta shtynte veten deri në kufijtë fizikë që kërkon futbolli i nivelit më të lartë.
Në fund, trajneri theksoi rëndësinë e kolektivitetit, duke nënvizuar se çdo futbollist, pavarësisht emrit dhe karrierës, duhet t’i shërbejë ekipit.
Sipas tij, asnjë yll nuk mund të jetë më i madh se klubi apo kombëtarja që përfaqëson.