Spektakël i skuadrës shqiptare në Podgoricë, katër gola ndaj Buduçnostit për rikthimin në krye

Futboll

Spektakël i skuadrës shqiptare në Podgoricë, katër gola ndaj Buduçnostit për rikthimin në krye

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 16:14
Skuadra shqiptare Otrant-Olympic nga Ulqini

Skuadra shqiptare Otrant-Olympic nga Ulqini ka shënuar një fitore të madhe në udhëtim ndaj Buduçnostit të Podgoricës, duke triumfuar me rezultat 4:1 në derbin e javës së 15-të të Kampionatit të Malit të Zi.

Skuadra nga Ulqini dominoi në Podgoricë, duke dëshmuar se është një nga kandidatët kryesorë për titullin e kampionit në Mal të Zi.

Rastin e parë serioz, Otrant-Olympic e krijoi që në minutën e 7-të. Pas një harkimi të Anxhello Rudoviqit, Alban Taipi u gjend në pozitë të mirë, por goditja e tij përfundoi mbi portën kundërshtare.

Të parët që goditën ishin mysafirët. Filip Paviçeviq, pas asistimit të Anxhello Rudoviqit, shënoi për 0:1 në minutën e 29-të.

Në minutën e 40-të, Halil Muharemoviq e dyfishoi epërsinë e Otrantit, duke shfrytëzuar një pasim të shkëlqyeshëm në thellësi.

Buduçnosti reagoi në fund të pjesës së parë, kur Ivan Bullatoviq shënoi për 1:2 në minutën e parë të kohës shtesë, duke rikthyer shpresat e vendasve.

Megjithatë, në pjesën e dytë Otranti vazhdoi me lojë të mirë. Pas disa rasteve të krijuara, në minutën e 73-të Armin Boshnjak, i cili ishte inkuadruar nga banka rezervë, realizoi për 1:3.

Fitoren e thellë të skuadrës nga Ulqini e vulosi Anxhello Rudoviq në minutën e 80-të, duke shënuar për rezultatin përfundimtar 1:4.

Otranti rikthehet në krye të tabelës

Me këtë triumf të rëndësishëm, Otrant-Olympic ngjitet në vendin e parë me 27 pikë, ndërsa Buduçnosti mbetet me 25 pikë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat