Rilind Nivokazi i pakapshëm, shpërthen me dy gola në Zvicër

Futboll

Rilind Nivokazi i pakapshëm, shpërthen me dy gola në Zvicër

Nga: K.G. Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 19:17
Pikërisht zëvendësuesi i Botelit, Rilind Nivokazi, bëhet heroi i ndeshjes në Vaduz

Futbollisti nga Kosova, Rilind Nivokazi, ka shkëlqyer me dy gola në ndeshjen e zhvilluar sot, në kuadër të javës së 13-të të kampionatit zviceran.

Sioni ka triumfuar me rezultat 4:0 ndaj Vaduzit, në një ndeshje ku protagonist kryesor ishte sulmuesi nga Kosova, Nivokazi.

Në minutën e 11-të, rasti i parë i ndeshjes u konkretizua menjëherë me gol. Donat Rrudhani depërtoi nga krahu i majtë dhe e dërgoi topin në qendër, te Rilind Nivokazi.

Sulmuesi Nivokazi, i vetëm pranë shtyllës së dytë, nuk e pati të vështirë ta dërgonte topin në rrjetë për rezultatin 0:1.

Vetëm katër minuta më vonë, në minutën e 15-të, Nivokazi goditi sërish! Siç raporton mediumi zviceran “Blick”, pas një goditjeje nga këndi për Vaduzin, futbollistët e Sionit u nisën në kundërsulm.

Nivokazi mori hov që nga gjysma e fushës së tij, la pas tre kundërshtarë dhe u nis drejt portierit Schaffran. Pavarësisht pengesës gjatë depërtimit, ai arriti të godiste dhe të shënonte për 0:2.

Dy golat e tjerë për Sionin u shënuan nga Chouaref në minutën e 34-t dhe Berdayes në minutën e 54-t, duke vulosur fitoren bindëse 4:0.

Në këtë takim, Kreshnik Hajrizi, Rilind Nivokazi dhe Donat Rrudhani e nisën ndeshjen nga minuta e parë për Sionin. Rrudhani u zëvendësua në minutën e 63-të, ndërsa Nivokazi në minutën e 78-të, kur në vend të tij u inkuadrua Benjamin Kololli.

Ndërkohë, Lutfi Dalipi, Liridon Berisha dhe Denis Simani ishin titullarë te Vaduz, që pësoi një humbje të rëndë para tifozëve të vet.

26-vjeçari Nivokazi këtë edicion ka gjashtë gola dhe tri asistime, kurse Rrudhani numëron tri gola dhe tri asistime.

Pas 13 javësh kampionat, Sioni renditet në vendin e tretë me 26 pikë, ndërsa Vaduz zë vendin e dhjetë me 10 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat