Essende mund të arrijë deri në 44 gola brenda një sezoni

Futboll

Essende mund të arrijë deri në 44 gola brenda një sezoni

Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 12:12
Samuel Essende, pas një fillimi të vështirë, tashmë po shënon gola për Young Boys (YB) njëri pas tjetri

Sulmuesi i Young Boys, Samuel Essende, nuk po ndjek vetëm golat, por edhe rekordet në Superligën zvicerane. Efikasiteti i tij para portës ka nxitur një përllogaritje statistikore që mund të duket e pabesueshme.

Pas 13 ndeshjeve në Superligën zvicerane, të gjitha si titullar, Samuel Essende ka regjistruar 15 gola dhe tri asistime.

Në sezonin 2026/27, ai ka realizuar tashmë pesë dopieta, ndër të tjera edhe në debutimin e tij në kampionat kundër Sionit (4:2), duke dhënë që në fillim një sinjal të qartë për potencialin e tij.

Vetëm në një ndeshje deri më tani ai nuk ka regjistruar as gol dhe as asistim. Bëhet fjalë për fitoren 4:2 ndaj Vaduzit, në fund të gushtit, ku për golat u përkujdesën bashkëlojtarët e tij te Young Boys.

Me bilancin prej 15 golash, sulmuesi fizikisht shumë i fuqishëm do ta kishte siguruar tashmë titullin e golashënuesit më të mirë në sezonin 2023/24. Atëherë, çmimi i golashënuesit më të mirë, pas 38 xhirove, ishte fituar me vetëm 14 gola.

Rekordet e golashënuesve në Superligën zvicerane

2025/26 Christian Fassnacht (YB)18
2024/25 Xherdan Shaqiri (Basel) 18
2023/24 Chadrac Akolo (St. Gallen), Zan Celar (Lugano), Kevin Carlos (Yverdon)    14
2022/23 Jean-Pierre Nsame (YB) 21
2021/22 Jordan Siebatcheu (YB) 22
2020/21 Jean-Pierre Nsame (YB) 19
2019/20 Jean-Pierre Nsame (YB) 32
2018/19 Guillaume Hoarau (YB)  24
2017/18 Albian Ajeti (St. Gallen/Basel) 17
2016/17 Seydou Doumbia (Basel) 20
2015/16 Munas Dabbur (GC)  19
2014/15 Shkëlzen Gashi (Basel)  22
2013/14 Shkëlzen Gashi (GC)  19
2012/13 Oscar Scarione (St. Gallen)  21
2011/10 Alex Frei (Basel)  24
2010/11 Alex Frei (Basel) 27
2009/10 Seydou Doumbia (YB) 30
2008/07 Seydou Doumbia (YB) 20
2007/06 Hakan Yakin (YB) 24
2006/07 Mladen Petriq (Basel) 19
2005/06 Alhassane Keita (FCZ) 20
2004/05 Christian Gimenez (Basel) 27
2003/04 Stéphane Chapuisat (YB) 23

Me pak matematikë, Essende mund të arrijë shifra fantastike

Essende ka regjistruar 1143 minuta lojë në kampionatin aktual të Superligës. Kjo do të thotë se ai realizon mesatarisht një gol çdo 76 minuta.

Çfarë mund të arrijë deri në fund të sezonit, me kusht që: - Të qëndrojë te Young Boys edhe pas afatit kalimtar të dimrit;
- Të mos ketë probleme me lëndimet;
- Të vazhdojë me të njëjtin ritëm fantastik të shënimit të golave.

Deri në përfundim të sezonit kanë mbetur edhe 25 ndeshje, ose 2250 minuta lojë. Nëse Essende e ruan ritmin aktual, ai mund të realizojë rreth 29 gola të tjerë.

Kështu, në total do të arrinte rreth 44 gola në kampionat, një shifër që do të ishte rekord i jashtëzakonshëm në historinë e Superligës zvicerane.

Për krahasim, rekordin historik për numrin më të madh të golave në një sezon të kampionatit zviceran e mban Leopold “Poldi” Kielholz, i cili në sezonin 1933/34 realizoi 40 gola për Servette.

Ndërsa në futbollin e kohëve moderne, rekordi i përket John Eriksenit, po ashtu te Servette, i cili realizoi 36 gola në sezonin 1987/88.

Fillimi në Bernë ishte i vështirë

Sa i përket Essendes, sulmuesi iu bashkua skuadrës së Young Boys më 16 shkurt 2026, duke ardhur nga Augsburgu. Pritshmëritë ndaj tij ishin të mëdha, gjë që dëshmohej edhe nga kontrata e nënshkruar deri në verën e vitit 2029.

Para transferimit te Young Boys, Essende kishte zhvilluar 50 ndeshje zyrtare për Augsburgun, duke realizuar 12 gola në të gjitha garat. Në Bundesligë, gjatë sezonit 2025/26, kishte shënuar një gol në 14 paraqitje.
Në Bernë, sulmuesit të lindur në Francë, me prejardhje nga Kongo, iu desh kohë për t'u përshtatur. Madje, në fillim ai u cilësua si një transferim i dështuar.

Golin e parë e realizoi vetëm në paraqitjen e tij të 12-të, por atëherë shpërtheu me tri gola në fitoren e thellë 8:3 ndaj Thunit, në transfertë, në muajin maj, pikërisht para festës së titullit të kundërshtarit.

Pas golit të tij të 20-të në të gjitha garat me fanellën verdhezi, të realizuar të shtunën në Luzern (3:2), me të cilin i siguroi Young Boys tri pikët, mund të thuhet se Essende më në fund ka shpërthyer.

Atij iu desh kohë për t'u pjekur, por tani po shijon frytet e punës, si një verë e mirë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat