Drejtuesi i Vllaznisë akuzon trajnerët e Kombëtareve

Futboll

Drejtuesi i Vllaznisë akuzon trajnerët e Kombëtareve

Më: 8 nëntor 2026 Në ora: 23:32
Drejtori sportiv i Vllaznisë, Alban Hasani

Publikimi i listave të kombëtareve të moshave për ndeshjet kualifikuese të europianeve të grupmoshave U17 dhe U19, ka sjellë një reagim të ashpër të drejtorit sportiv të Vllaznisë, Alban Hasani.

Ky i fundit deri pak javë më parë ishte përgjegjësi i akademisë së klubit kuqeblu, ndaj njeh mjaft mirë situatën e të rinjve në futbollin shqiptar.

Si rrjedhojë, ai ka akuzuar trajnerët Armanda Dama të Kombëtares U17 dhe Fatjon Tafaj të Kombëtares U19 se tallen me mundin e lojtarëve, duke mos grumbulluar ata që spikatin si në rastin e lojtarëve të Vllaznisë.

Në disa komente, që nuk gjenden më tashmë në faqen e FSHF, Hasani ka akuzuar trajnerin e U17 se nuk ka grumbulluar lojtarët e ekipit kampion të kësaj grupmoshe.

“Po si s’keni turp që talleni me djersën e sportistëve? Vllaznia kampion Shqipërie me 5 sportistë lojtarë të vitit. Shpuza portieri i vitit, Gjeka sulmuesi i vitit, Gjoni mbrojtësi i vitit, Marku golashënuesi më i mirë i kampionatit me 28 gola si dhe Sukaj e Kopliku”, shkruante fillimisht ai.

Më pas, vazhduan kritikat edhe për U19 të Tafajt. “Me çfarë kompetencash nuk grumbullohet Uldedaj mor shoku mësues? Luan në Superligë, shënon gol, sportist i datëlindjes 2009”, ishte komenti i tij.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat