Akanji merr sërish shiritin e kapitenit, flet për Xhakën, Embolon dhe objektivin e madh të Zvicrës

Futboll

Akanji merr sërish shiritin e kapitenit, flet për Xhakën, Embolon dhe objektivin e madh të Zvicrës

Më: 11 nëntor 2026 Në ora: 12:38
Manuel Akanji, i fotografuar këtu gjatë ndeshjes kundër Maqedonisë së Veriut në Lucernë

Futbollisti Manuel Akanji do ta zëvendësojë sërish Granit Xhakën si kapiten. Zvicra është shumë pranë rikthimit në Ligën A të Ligës së Kombeve.

Gjatë grumbullimeve të gjata në shtator dhe tetor, Kombëtarja e Zvicrës hodhi themelet për rikthimin në kategorinë më të lartë të Ligës së Kombeve.

Falë bilancit të përkryer prej katër fitoresh në katër ndeshje, skuadrës së trajnerit Murat Yakin i nevojitet vetëm edhe një pikë për t'u rikthyer në Ligën A.

Mundësinë e parë për ta arritur këtë objektiv, zviceranët do ta kenë në udhëtim kundër Sllovenisë.

Nga pikëpamja futbollistike, Zvicra konsiderohet favorite, por lojtarët duhet të jenë të përgatitur edhe fizikisht dhe të gatshëm për të luftuar për çdo top.

Sërish pa Granit Xhakën

“Ne e dimë se çfarë na pret dhe si do të zhvillohet ndeshja”, - paralajmëron Manuel Akanji, duke iu referuar përballjes së parë, e cila ishte mjaft e ashpër dhe përfundoi me fitoren 2:1 të Zvicrës.

Akanji do ta udhëheqë sërish përfaqësuesen zvicerane në rolin e kapitenit, ashtu si në katër ndeshjet e para të kësaj fushate të Ligës së Kombeve, pasi Granit Xhaka mungon për shkak të lëndimit.

Mungesa e Xhakës është padyshim një humbje për ekipin, por Akanji nuk e konsideron atë një pengesë të pakapërcyeshme.

“Herën e kaluar gjetëm një mënyrë për t'i fituar ndeshjet pa të. Duhet ta bëjmë sërish këtë edhe tani”, deklaroi mbrojtësi i Interit.

Për Akanjin, roli i kapitenit nuk nënkupton vetëm bartjen e shiritit në fushë. Një pjesë e madhe e përgjegjësive të tij shtrihet edhe jashtë fushës.

Ai tregon se edhe më parë, në rolin e zëvendëskapitenit, diskutonte çështje të ndryshme me ekipin, ndërsa tani këtë e bën në mënyrë edhe më të drejtpërdrejtë.

Këto çështje nuk kanë të bëjnë vetëm me futbollin, por edhe me disiplinën dhe përpikërinë në kohë.

“Jo vetëm lojtarët, por edhe stafi. Ekzistojnë rregulla që vlejnë për të gjithë, në mënyrë që gjithçka të funksionojë. Të gjithë duhet t'i respektojnë ato”, shpjegoi me buzëqeshje Akanji.
Megjithatë, ai nuk deshi të tregonte se cilët pjesëtarë të stafit ishin gjobitur për shkeljen e rregullave.

Ndeshjet e ardhshme të Zvicrës
3 nëntor, ora 20:45: Sllovenia – Zvicra.
16 nëntor, ora 20:45: Zvicra – Skocia.

Embolo dhe Akanji – një raport i veçantë

Në grumbullimin e kombëtares është rikthyer edhe Breel Embolo, kthimi i të cilit nuk kaloi pa polemika.
Një intervistë e fundit e sulmuesit 29-vjeçar shkaktoi diskutime të shumta. Akanji tregon se ka biseduar me Embolon për këtë çështje.

Dy futbollistët njihen prej më shumë se dhjetë vjetësh, që nga koha kur luanin së bashku te Baseli. Akanji e konsideron Embolon mik dhe shprehet i lumtur që ai është sërish pjesë e kombëtares.

Në përgjithësi, mbrojtësi dëshiron që kjo çështje të mbetet pas dhe ekipi të përqendrohet te e ardhmja.
“Besoj se do të gjejmë një zgjidhje. Në fund të fundit, duhet të funksionojmë si një ekip i vetëm”, theksoi Akanji.
Sipas tij, dallimet dhe mosmarrëveshjet ekzistojnë në çdo profesion. E rëndësishme është që të gjithë të kenë të njëjtin objektiv.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat