Në mesin e shumë pyetjeve të cilat iu drejtuan presidentit Armand Duka, ishte edhe ajo e mundësisë për të parë një trajner shqiptar në stolin e Kombëtares.
Kreu i FSHF-së u shpreh se ka trajner shumë të mirë që punojnë në kampionatin vendas siç është “Abissnet Superiore”, por edhe në të tjera kampionate.
Ai vë theksin tek shkëmbimi i eksperiencave që ndikon jo pak për të huajit, çfarë e shtyn t’ua besojë më shumë këtë detyrë. Duka nuk e përjashton mundësinë që një të ardhme të afërt, “timonin” e skuadrës kombëtare ta marrë një trajner shqiptar dhe se në çdo kohë mund të bësh një zgjedhje ndryshe.
Gazetari: Mendoni se në të ardhmen Shqipëria mund të ketë një trajner shqiptar?
Armand Duka: Ne kemi trajnerë shumë të mirë, si ata që punojnë në Abissnet Superiore, ashtu edhe ata që punojnë jashtë Shqipërisë, në Kosovë apo në vendet e tjera.
Por një trajner i huaj ka disa karakteristika që mund ta ndihmojnë më mirë ekipin. Edhe shkëmbimi i eksperiencave ndikon. Nuk mund të themi kurrë që ka ardhur koha apo ka ikur koha. Në çdo kohë mund të bësh një zgjedhje ndryshe, shqiptar apo jo shqiptar.