Maqedonia e Veriut U-19 e ka nisur me një barazim pa gola (0:0) rrugëtimin në kualifikimet për Kampionatin Evropian, pasi në ndeshjen e zhvilluar në Turnovë barazoi me Irlandën e Veriut.
Futbollistët e përzgjedhësit Dimitar Kapinkovski kishin mundësi të fitonin dhe t'i merrnin të tri pikët, por edhe mysafirët patën rastet e tyre, sidomos në minutat e fundit të takimit.
Rastin më të mirë për shënim e patën futbollistët e Irlandës së Veriut, të cilët në minutën e 84-të goditën traversën e portës së Aleksandar Trajkovit. Gjuajtjen e realizoi Callum Thompson.
Edhe Maqedonia e Veriut pati mundësi të shënonte në pjesën e parë, kur Ditmir Hoxha, pas një harkimi nga këndi, nuk arriti ta godiste siç duhet topin.
Në vazhdim, vendasit provuan të gjenin golin edhe përmes Muhamed Kurtishit dhe Ivan Tançevit, por rezultati mbeti i pandryshuar.
Turneu kualifikues vazhdon të shtunën, kur Maqedonia e Veriut do të përballet sërish në Turnovë, kësaj radhe me Zvicrën. Ndeshja nis në orën 13:00.