Ylli i futbollit, Xherdan Shaqiri, është futbollisti më i ngadalshëm në Superligën e Zvicrës, sipas një analize statistikore të publikuar sot nga gazeta zvicerane “Blick”.
“Blick” zbulon futbollistët më të shpejtë në Superligën zvicerane, lojtarin që renditet si më i ngadalshmi në kampionat, si dhe një talent të ri që duhet të jetë në radarin e klubeve të mëdha evropiane.
Një sprinter i pritshëm, një yll që preferon të ecë në fushë dhe një talent që mund të bëhet ylli i së ardhmes. Gazeta zvicerane, duke u bazuar në të dhënat statistikore të kompanisë “StatsBomb”, ka publikuar disa të dhëna interesante për futbollistët e Superligës zvicerane.
Futbollistët më të ngadalshëm në ligë
Futbollisti më i ngadalshëm në Superligën zvicerane është njëkohësisht edhe ylli më i madh i saj. Bëhet fjalë për Xherdan Shaqirin (35), i cili gjatë sprinteve arrin shpejtësinë prej vetëm 27,63 km/h.
Kapiteni i Baselit, në fakt, rrallëherë e kalon shpejtësinë prej 25 km/h. Mesatarisht, ai kryen vetëm dy sprinte për ndeshje. Asnjë futbollist tjetër në ligë nuk e arrin më rrallë shpejtësinë maksimale.
Ndryshe qëndron puna me Nikolas Mucin (23). Sulmuesi i Grasshoppersit është futbollisti i dytë më i ngadalshëm i ligës, por njëkohësisht kryeson për nga numri i përshpejtimeve shpërthyese. Kjo dëshmon angazhimin e tij të madh në presing dhe kundërpresing.
Shaqiri dhe Muci janë dy përjashtimet në dhjetëshen e futbollistëve më të ngadalshëm. Pjesën tjetër e përbëjnë kryesisht lojtarë të mesfushës defensive dhe mbrojtës qendrorë, pozicione ku leximi i lojës dhe forca në duele kanë më shumë rëndësi sesa shpejtësia.
Se shpejtësia nuk është gjithçka në futboll, e dëshmojnë edhe dy emra të njohur: kapiteni i St. Gallenit, Lukas Görtler (32), i cili renditet i gjashti në mesin e futbollistëve më të ngadalshëm, si dhe organizatori i lojës së Luganos, Anto Grgić (29), që zë vendin e 13-të. Megjithatë, të dy janë futbollistë të pazëvendësueshëm për skuadrat e tyre.
Futbollistët më të shpejtë në ligë
Para se të prezantohen futbollistët më të shpejtë të Superligës, duhet theksuar se matjet nuk bazohen në sprintin më të shpejtë të vetëm të një lojtari gjatë sezonit. Më shumë rëndësi ka shpejtësia maksimale që një futbollist arrin në mënyrë të përsëritur. Për këtë arsye, llogaritet mesatarja e sprinteve më të shpejta.
Është e mundur që gjatë këtij sezoni ndonjë futbollist të ketë regjistruar një sprint më të shpejtë se Kaly Sene (25), por askush nuk ka qenë vazhdimisht më i shpejtë se sulmuesi i Young Boysit.
Me një shpejtësi mesatare prej 35,23 km/h, Sene kryeson këtë klasifikim. Pas tij renditen Joel Ruiz (19) i St. Gallenit, me 35,2 km/h, dhe Theo Bergvall (22) i Lausanne-Sportit, me 35,19 km/h.
Nuk është befasi që futbollisti më i shpejtë i ligës është një sulmues. Megjithatë, ajo që bie në sy është se në dhjetëshen e parë gjenden edhe katër mbrojtës të krahut. Përveç Ruizit dhe Bergvallit, aty bëjnë pjesë edhe Lilian Njoh (24) dhe Stefan Bukinac (21).
Nëntë nga dhjetë futbollistët më të shpejtë luajnë kryesisht në krahë. Kjo dëshmon rëndësinë e shpejtësisë në këto pozicione, pavarësisht nëse detyrat e tyre janë sulmuese apo mbrojtëse.
A po vjen transferimi i radhës milionësh jashtë vendit?
Të dhënat e vrapimit janë shndërruar në një nga kriteret kryesore për zbulimin e talenteve të reja. Nuk bëhet fjalë vetëm për numrin e kilometrave të përshkuar, por sidomos për futbollistët e rinj që arrijnë të përshpejtojnë sa më shpesh dhe me shpejtësi sa më të madhe.
Ideja është e thjeshtë: nëse një futbollist e zotëron shpejtësinë e nevojshme, taktikat dhe teknikën mund t'i mësojë gjatë zhvillimit të tij. Nëse ky proces shkon me sukses, atëherë mund të pasojë edhe një transferim me vlerë të lartë.
Kërkimi për talente zakonisht nis përmes bazave të të dhënave të kompanive të mëdha statistikore. Për këtë arsye, një futbollist i ri zviceran duhet të jetë në listën e vëzhgimit të klubeve të mëdha evropiane: Mio Zimmermann (19).
Mesfushori i Luzernit së fundmi ka pësuar një lëndim të rëndë në gju. Megjithatë, të dhënat e tij të deritanishme fizike janë mbresëlënëse. Në distancën e përgjithshme të përshkuar, numrin e sprinteve, distancën e përshkuar me sprint dhe shpejtësinë maksimale, Zimmermann renditet të paktën në mesin e 13 futbollistëve më të mirë të ligës.
Edhe më mbresëlënëse është se, në krahasimin ndërkombëtar me futbollistët e tjerë, ai renditet në mesin e tri për qind më të mirëve në të gjitha këto kategori.
Këto të dhëna krijojnë kushte shumë të mira për një transferim jashtë vendit, nëse talenti i ri arrin të rikuperohet me sukses nga lëndimi në gju.
Veteranët që sfidojnë moshën
Në kushte normale, aftësitë fizike të futbollistëve bien me kalimin e moshës. Megjithatë, ka edhe përjashtime që vazhdojnë t'i sfidojnë vitet.
Renato Steffen (35), ndonëse kohët e fundit është përballur disa herë me lëndime, kur është në fushë vazhdon të jetë ndër dhjetë futbollistët më të shpejtë të ligës, duke u renditur në pozitën e nëntë.
Po ashtu, i pathyeshëm në aspektin fizik vazhdon të jetë edhe veterani i Grasshoppersit, Amir Abrashi (36), i cili renditet i 13-ti për nga numri i kilometrave të përshkuar për ndeshje.
Kevin Behrens (35), nga ana tjetër, renditet i treti për nga numri i vrapimeve me intensitet të lartë, me shpejtësi mbi 20 km/h.
Ndërsa Numa Lavanchy (33) i Sionit vazhdon të jetë ndër futbollistët me numrin më të madh të përshpejtimeve të menjëhershme në nivel botëror.
Befasitë në kilometrat e përshkuar
Një tjetër e dhënë interesante nga statistikat ka të bëjë me futbollistët që përshkojnë më së shumti kilometra gjatë një ndeshjeje.
Edhe pse dhjetëshja e parë përbëhet kryesisht nga mesfushorë qendrorë, në krye të listës gjendet një futbollist që luan në krah. Bëhet fjalë për Thomas Lopes (19) të Servette, i cili përshkon mesatarisht më shumë se 11,7 kilometra për ndeshje.
Pas tij vijnë Mio Zimmermann i Luzernit dhe Jonas Harder (21) i Baselit, dy mesfushorë qendrorë që përputhen me pritshmëritë për këtë kategori.
Megjithatë, në mesin e futbollistëve që përshkojnë më shumë kilometra ka edhe disa emra të tjerë interesantë. Franck Surdez (24) i Sionit renditet i teti, ndërsa dy futbollistët ofensivë të Vaduzit, Milos Cocic (23) dhe Lutfi Dalipi (20), renditen përkatësisht në pozitën e katërt dhe të 15-të.
Në këtë listë bën pjesë edhe Alvyn Sanches (23) i Young Boysit, i cili renditet në pozitën e 17-të.
Të dhënat tregojnë se në futbollin modern, përveç teknikës dhe taktikës, aftësitë fizike dhe intensiteti i lojës po marrin gjithnjë e më shumë rëndësi në vlerësimin e futbollistëve.