Zvicra synon rikthimin në Ligën A, ndaj Sllovenisë i mjafton edhe një barazim

Futboll

Zvicra synon rikthimin në Ligën A, ndaj Sllovenisë i mjafton edhe një barazim

Më: 12 nëntor 2026 Në ora: 21:44
Yakin: Duhet ta marrim lojën në duart tona dhe të tregojmë se kush e dikton atë.

Zvicra është shumë pranë rikthimit në Ligën A të Ligës së Kombeve. Të premten, në përballjen me Slloveninë, skuadrës së Murat Yakinit i mjafton edhe një pikë për ta siguruar matematikisht ngjitjen në elitë.

Zvicra po zhvillon një edicion fantastik në Ligën B, duke regjistruar katër fitore në po aq ndeshje.

Ajo ka triumfuar 3:0 në Shkup ndaj Maqedonisë së Veriut, 3:0 në Glasgow ndaj Skocisë, 2:1 në Luzern kundër Sllovenisë dhe sërish 3:0 ndaj Maqedonisë së Veriut.

Kjo është një paraqitje bindëse e zviceranëve, të cilët synojnë rikthimin në Ligën A, pasi në edicionin e kaluar pësuan rënien nga elita.

Në prag të sfidës me Slloveninë, përzgjedhësi Murat Yakin u shpreh i kënaqur me gjendjen e fushës në Maribor, duke theksuar se kushtet janë të mira për zhvillimin e një ndeshjeje cilësore.

“Jam shumë i lumtur kur pashë një fushë të gjelbër. Është kënaqësi të luash në një terren të tillë në këtë periudhë të vitit”, deklaroi Yakin, i cili do ta drejtojë Zvicrën për herë të 70-të.

Ai kërkoi nga futbollistët e tij përqendrim maksimal që nga minuta e parë, pavarësisht mungesës së Johan Manzambit.

“Duhet të reagojmë që nga fillimi, të marrim iniciativën dhe të tregojmë se kush e kontrollon lojën”, theksoi trajneri zviceran.

Sllovenia mbetet kundërshtari që e ka sfiduar më së shumti Zvicrën në këtë edicion. Në ndeshjen e parë në Luzern, sllovenët ishin pranë marrjes së një rezultati pozitiv, por në fund pësuan humbjen e vetme deri më tani në grup.

Me pesë pikë më pak se Zvicra, Sllovenia është skuadra e vetme që ende mund t'ia rrezikojë vendin e parë përfaqësueses helvetike.

Megjithatë, statistikat janë në anën e Zvicrës, e cila ka fituar tetë nga 12 përballjet e zhvilluara kundër Sllovenisë.

Ndeshja Slloveni – Zvicër zhvillohet të premten, më 13 nëntor, me fillim nga ora 20:45, ndërsa transmetohet drejtpërdrejt në SRF 2, nga ora 20:10.

Një barazim do të mjaftonte që Zvicra të siguronte para kohe vendin e parë në grup dhe rikthimin në Ligën A.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat