Legjenda e futbollit dhe ish-kapiteni i Manchester Utd, Roy Keane, para ndeshjes Angli – Kroaci në “Wembley”, mori një pyetje interesante.
Gazetari i “ITV Sport” e pyeti se cilin futbollist do të preferonte në skuadrën e tij: Luka Modriçin në kulmin e karrierës apo Jude Bellinghamin në formën aktuale.
Keane zgjodhi përfaqësuesin anglez, të cilin më pas e krahasoi me Zinedine Zidane.
“Modriç ishte i jashtëzakonshëm. Por ndoshta do t'i jepja një përparësi të vogël Bellinghamit. Mendoj se kjo lidhet me forcën e tij fizike dhe besoj se mund të shohim edhe më shumë prej tij.
Megjithatë, Modriç ishte fantastik”, deklaroi Keane.
Bellinghamin e krahasoi me Zidanen
Keane foli edhe për stilin e lojës së Bellinghamit dhe futbollistët me të cilët i kujton ai. Veçoi legjendën franceze Zinedine Zidane, por përmendi edhe ish-yllin anglez Paul Gascoigne.
“Zidane, pa dyshim. Lojtarë si Gazza, megjithëse kishin personalitete dhe karakteristika të ndryshme.
Zidane ishte i jashtëzakonshëm kur vraponte me topin. Ishte shumë e vështirë t'ia merrje topin. Po, Zidane mund të jetë një krahasim i mirë”, shpjegoi Keane.
Modriç dhe Bellingham kanë qenë bashkëlojtarë te Real Madridi, me të cilin fituan së bashku Ligën e Kampionëve dhe kampionatin spanjoll.
Kapiteni kroat fitoi Topin e Artë në vitin 2018, ndërsa sot, në moshën 41-vjeçare, luan për Milanin. Bellingham (23) është një nga futbollistët kryesorë të Real Madridit dhe të përfaqësueses së Anglisë.
Anglia e mposhti Kroacinë në Wembley
Anglia fitoi 2:1 ndaj Kroacisë të enjten, në kuadër të xhiros së pestë të Ligës së Kombeve.
Morgan Rogers kaloi vendasit në epërsi në minutën e 24-t, Petar Suçiq barazoi në minutën e 59-të, ndërsa Harry Kane, pesë minuta më vonë, nga pika e bardhë vendosi rezultatin përfundimtar.
Modriç u aktivizua në minutën e 76-të dhe regjistroi paraqitjen e 207-të për Kroacinë. Bellingham ishte në formacionin startues të Anglisë dhe mori pjesë në aksionin e golit të parë.