Përzgjedhësi çek me pesë humbje në pesë ndeshje, ja çfarë i thotë Kroacisë

Futboll

Përzgjedhësi çek me pesë humbje në pesë ndeshje, ja çfarë i thotë Kroacisë

Nga: B.S Më: 13 nëntor 2026 Në ora: 17:11
Përzgjedhësi çek, Santi Denia

kombëtarja e Çekisë në futboll u mposht nga Spanja me rezultat 0:2, në ndeshjen e pestë të Ligës së Kombeve, duke mbetur në vendin e fundit të Grupit A3, pa asnjë pikë të fituar.

Megjithatë, çekët ende kanë mundësi ta parakalojnë Kroacinë dhe ta përfundojnë grupin në vendin e tretë. Për këtë u nevojitet fitorja të dielën në stadiumin 'Opus Arena" në Osijek.

Përzgjedhësi çek, Santi Denia, paralajmëroi se skuadra e tij do të përgatitet për këtë takim sikur të bëhej fjalë për finalen e Kupës së Botës.

“Është ndeshja e fundit që përfaqësuesja do ta zhvillojë këtë vit. Do të përgatitemi sikur të luanim finalen e Kupës së Botës. Nëse fitojmë dhe përfundojmë të tretët në grup, kjo do të na ndryshojë jetën.

Duhet të përgatitemi deri në detajet më të vogla për të arritur fitoren.

Jam i bindur se do të tregojmë se çfarë jemi në gjendje të bëjmë”, deklaroi Denia në konferencën për media pas ndeshjes me Spanjën.

Përzgjedhësi çek beson te skuadra pavarësisht pesë humbjeve radhazi

“Natyrisht, pas një tjetër humbjeje mund të shfaqen dyshime. Por ne besojmë në atë që po bëjmë dhe e gjithë skuadra vazhdon të besojë në këtë rrugë. Duhet të përmirësohemi, përfshirë edhe ne si trajnerë. \

Është e vështirë të humbasësh pesë ndeshje radhazi, por më e rëndësishmja ende nuk ka ardhur”, u shpreh Denia.
Ai mendon se skuadra e tij duhet të ndryshojë mënyrën se si i nis ndeshjet.

“Pjesa e parë nuk ishte ashtu siç e kishim planifikuar. Në disa momente nuk kishim një ide të qartë, veçanërisht sa i përket presingut dhe lojës sulmuese. Në pjesët e dyta zakonisht luajmë më mirë.

Duhet ta ndryshojmë këtë, në mënyrë që që nga minuta e parë të luajmë ashtu siç luajmë në vazhdim të ndeshjeve”, shpjegoi ai.

Çekia do të jetë e hendikepuar në Osijek, pasi nuk do të ketë në dispozicion kapitenin Ladislav Krejçi.
Mbrojtësi i Wolverhamptonit u ndëshkua me karton të kuq direkt në minutën e 72-të të ndeshjes me Spanjën, pasi si lojtari i fundit në mbrojtje rrëzoi Robert Fernandezin.

“Para ndeshjes biseduam se sa e rëndësishme është në këtë nivel ta përfundosh takimin me 11 lojtarë.

Megjithatë, nuk mund t'i kontrollosh gjithmonë të gjitha situatat. Duhet të mbrohemi më mirë si skuadër, në mënyrë që lojtari i fundit të mos mbetet i vetëm në situata të tilla”, tha Denia.

Kroacia hyn në xhiron e fundit me tri pikë, ndërsa Çekia nuk ka asnjë pikë.

Ndeshja zhvillohet të dielën, më 15 nëntor, nga ora 20:45 në Osijek.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat