Wesley Sneijder e nis karrierën si trajner, do ta udhëheqë një klub të divizionit të nëntë

Futboll

Wesley Sneijder e nis karrierën si trajner, do ta udhëheqë një klub të divizionit të nëntë

Më: 14 nëntor 2026 Në ora: 19:30
Legjenda e futbollit, Wesley Sneijder

Wesley Sneijder pritet t’i bëjë hapat e parë në karrierën e trajnerit në vendlindjen e tij, Holandë, në moshën 42-vjeçare.

Ish-reprezentuesi holandez do të marrë drejtimin e klubit Eminent Boys, që garon në kategorinë e nëntë të futbollit holandez, ku vëllai i tij, Rodney, është drejtor.

Sneijder ka luajtur për klube të mëdha si Inter, Ajax dhe Real Madrid gjatë karrierës së tij të gjatë si futbollist. Një klub për të cilin nuk luajti kurrë, pavarësisht spekulimeve të vazhdueshme, ishte Manchester United, i cili tashmë e ka konfirmuar Mauricio Pochettinon si trajner të ri, ndërsa aktualisht ndodhet në zonën e rënies nga Premierliga.

Pochettino do të shpresojë që ekipi i rekrutimit të arrijë t’ia sjellë lojtarët që ai dëshiron në klub. Megjithatë, kjo nuk është gjithmonë e lehtë, siç e kishte përjetuar edhe Sir Alex Ferguson gjatë kohës së tij te United, kur nuk arriti t’i bindte disa futbollistë të transferoheshin në Old Trafford, pavarësisht autoritetit të tij.

Njëri prej lojtarëve që Ferguson nuk arriti ta bindte, ndonëse për vite të tëra ishte përfolur për një transferim në Old Trafford, ishte pikërisht Sneijder.

Holandezi ka vendosur t’i bashkohet stafit teknik të Eminent Boys, klub që garon në kategorinë e nëntë të futbollit holandez.

Ish-reprezentuesi holandez u paraqit për herë të parë në stërvitjen e klubit nga Utrechti të martën mbrëma, pasi ka marrë përsipër detyrën e trajnerit.

Sneijder, rekordmen për numrin e paraqitjeve me Përfaqësuesen e Holandës, ka rënë dakord t’i bashkohet klubit, ku do të ribashkohet me vëllain e tij, Rodney.

Kjo do të jetë hera e parë që ai nis një karrierë si trajner dhe ka vendosur ta bëjë këtë në një nivel mjaft të ulët të futbollit holandez.

Edhe pse i dha fund karrierës profesionale në vitin 2019, pas një periudhe te Al-Gharafa, Sneijder sezonin e kaluar ishte parë duke luajtur për OSM’75, një tjetër klub nga Utrechti që garon në kategorinë e nëntë.

Futbollistët e Eminent Boys me siguri do të jenë të entuziazmuar që do të mësojnë nga një ish-fitues i Ligës së Kampionëve me Interin dhe finalist i Kupës së Botës.

Në sytë e shumë tifozëve, Sneijder ishte ndër futbollistët më të mirë në botë gjatë viteve 2010 dhe 2011, kur ishte një prej lojtarëve kryesorë të Interit të drejtuar nga Jose Mourinho.

Ndonëse nuk arriti kurrë të transferohej në Angli për të luajtur te Manchester United, Sneijder kishte folur më parë për SPORTbible rreth asaj se sa afër kishte qenë transferimit në Old Trafford.

Sneijder kishte deklaruar:

“Isha shumë afër në vitin 2011, pas Ligës së Kampionëve dhe pas Kupës së Botës. Por më vonë mora vesh se, në një moment, po bisedonim me Unitedin dhe pastaj papritur nuk pati më asgjë.

E pyeta menaxherin tim: ‘Çfarë ndodhi me Unitedin?’, ndërsa ai më tha: ‘Jo, asgjë, gjithçka ka përfunduar’.

Por dy vjet më vonë zbulova se ai kishte kërkuar para shtesë për veten e tij. Prandaj marrëveshja dështoi. Në fakt, [Sir Alex] Ferguson ia kishte treguar këtë njërit prej të afërmve të mi”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat