Rei Manaj është bërë protagonisti absolut i Kombëtares shqiptare të futbollit në dy vitet e fundit, duke qenë ai njeriu gol i kuqezinjve e shënuar me rregullsi.
Por paralelisht me Kombëtaren, ai është bërë protagonist absolut edhe me klubin e Sivaspor ku gjithçka varet nga forma e sulmuesit.
Por ndërsa ai ishte në grumbullim me Kombëtaren, në ditët e fundit në Turqi diskutimet për Manajn janë kthyer në një temë kryesore.
Tani flitet për vazhdimin apo jo të sulmuesit në radhët e Sivaspor në kategorinë e dytë. Zërat për një transferimit të mundshëm te Kajzerispor janë shtuar, pasi bëhet e ditur se problemet financiare të klubit aktual mund të bëhen shkak për ndërprerjen e marrëveshjes mes palëve.
Sivaspor ka rroga të shumta të prapambetura të papaguara ndaj lojtarëve dhe bëhet e ditur se edhe Manaj është mes tyre. Në mediat turke qarkulloi lajmi se ai i është drejtuar FIFA-s duke kërkuar pagesën e këtyre detyrimeve. Por sipas gazetarit turk Mustafa Atesh, këto lajme nuk kanë qenë të vërteta dhe shpjegimet i kishin ardhur nga stafi i Manajt.
“Kontrata jonë me Sivaspor vazhdon. Nuk jemi në diskutime me asnjë klub, siç është përmendur në rrjetet sociale. Nuk kemi bërë asnjë ankimim në FIFA në lidhje me klubin e Sivaspor dhe pagesat e prapambetura. Këto janë çështje që do të diskutohen me drejtuesit e klubit.
Bashkëbiseduesi ynë është gjithmonë klubi i Sivaspor”, theksonin burimet pranë lojtarit për situatën në fjalë që ka krijuar shumë kaos në mediat turke.