E ardhmja e Alessandro Bastonit te Interi po bëhet gjithnjë e më shumë temë diskutimi në prag të afateve të ardhshme kalimtare, pasi interesimi për mbrojtësin italian ka ardhur duke u rritur. Pas Barcelonës, në garë për shërbimet e tij është futur edhe Chelsea, i cili tashmë ka ndërmarrë hapat e parë për të shqyrtuar mundësinë e transferimit të tij në Premierligë.
Sipas mediumit anglez “TeamTalk”, përfaqësues të Chelseat kanë qenë të pranishëm në stadiumin “San Siro” për ta vëzhguar nga afër Bastonin gjatë ndeshjes Itali-Francë. Paraqitja e mbrojtësit italian u ka lënë përshtypje zyrtarëve të klubit londinez, të cilët po e konsiderojnë seriozisht mundësinë e transferimit të tij.
Megjithatë, Barcelona mbetet një nga klubet më të interesuara për futbollistin 27-vjeçar. Klubi katalunas, me drejtorin sportiv Deco në krye të interesimit, ka tentuar edhe më parë ta bindë Interin për shitjen e tij, por oferta e paraqitur nuk i kishte përmbushur kërkesat e klubit italian.
Interi, në anën tjetër, nuk ka ndërmend të heqë dorë lehtë nga një prej futbollistëve më të rëndësishëm të skuadrës së trajnerit Cristian Chivu. Sipas raportimit, zikaltërit kishin kërkuar të paktën 70 milionë euro për ta lejuar largimin e tij.
Një tjetër faktor që mund të ndikojë në të ardhmen e Bastonit është kontrata e tij, e cila skadon më 30 qershor 2028. Kjo do të thotë se verën e ardhshme ai do të hyjë në dy vitet e fundit të marrëveshjes me Interin.
Bastoni aktualisht përfiton rreth 5.5 milionë euro në sezon, plus bonuse, ndërsa drejtuesit e klubit pritet të shqyrtojnë mundësinë e rinovimit të kontratës.
Pavarësisht interesimit nga Barcelona dhe Chelsea, Interi nuk duket i gatshëm të pranojë një ulje të konsiderueshme të çmimit të mbrojtësit. Nëse vendos ta shesë, synimi i klubit italian mund të jetë krijimi i një gare mes klubeve të interesuara për të siguruar ofertën më të mirë.