Pas tri ditësh pushim për shkak të vdekjes së Agron Memedit, ndihmëstrajnerit të ekipit, futbollistët e Shkëndijës nga Tetova sot kanë zhvilluar stërvitjen e parë.
Është e qartë se atmosfera në stërvitje ka qenë tejet e rëndë, pas ngjarjes tragjike të së shtunës, kur Memedi u ndje keq gjatë stërvitjes dhe ndërroi jetë gjatë rrugës për në spital.
Të gjithë në klub vazhdojnë të jenë të tronditur nga kjo humbje e madhe.
Megjithatë, jeta duhet të vazhdojë, ndërsa Goni do të mbetet përgjithmonë në kujtesën e të gjithëve në klubin tetovar.
Kujtojmë se ndeshja ndaj Sileksit, e vlefshme për javën e 14-të, do të zhvillohet të hënën në stadiumin “Todor Proeski” në Shkup, duke filluar nga ora 13:00..