Ish-mbrojtësi i Interit, Andrea Ranocchia, në një intervistë për gazetën italiane “Il Corriere della Sera”, ka rrëfyer periudhën e vështirë të karrierës së tij, nga lëndimi i rëndë deri te fitimi i titullit kampion me skuadrën zikaltër.
"Transferimi në Milano ishte realizimi i një ëndrre. Një vit më parë, kur luaja për Barin, më ishin këputur ligamentet e kryqëzuara dhe për këtë arsye e humba Kampionatin Botëror të vitit 2010.
Te Interi po përfundonte periudha e gjeneratës që kishte fituar kurorën e trefishtë. Moratti u largua, ndërsa trajnerët ndërroheshin vazhdimisht", tregoi ai, transmeton Goal.com.
Ditët e vështira te Interi
Ranocchia përshkroi në detaje periudhën e vështirë që pasoi.
"Mbizotëronte kaosi, ndiheshim të pafuqishëm dhe shkuarja në stërvitje ishte kthyer në një barrë për mua. E humba plotësisht vetëbesimin. Pyesja veten nëse do të mund të luaja ndonjëherë përsëri futboll, jo vetëm në Serie A, por në përgjithësi. Nuk e njihja më veten", tha ai.
Presioni bëhej gjithnjë e më i madh.
"Meqenëse kisha qëndruar gjatë në klub, u bëra fajtori kryesor për rezultatet e dobëta. Dëgjoja vërshëllima dhe fyerje në stadium, në rrugë dhe në rrjetet sociale. Ishte e tmerrshme."
Problemet nga fusha u bartën edhe në jetën private.
"E humba qetësinë. Nuk isha mirë dhe nuk dëshiroja të dilja nga shtëpia. Isha në depresion dhe apatik, nuk ndieja më asgjë dhe gjithçka kishte humbur kuptimin. Depresioni ndikonte edhe në paraqitjet e mia.
Në tunelin e San Siros, pak para se të dilja para tifozëve, këmbët më dridheshin."
Veçanërisht e kishte lënduar mënyra se si e humbi shiritin e kapitenit.
"Si e mora vesh se ma kishin hequr shiritin e kapitenit? Në ndeshjen e parë miqësore. Kur hyra në zhveshtore, pashë se shiriti nuk ishte te fanella ime, por te ajo e Icardit."
Rruga drejt rikuperimit dhe mbështetja e trajnerit
Rikuperimin e nisi duke kërkuar ndihmë profesionale.
"Kërkova ndihmë jashtë klubit, fillova të punoja me një psikolog dhe e pranova cenueshmërinë time pa e gjykuar veten. Edhe përvoja jashtë vendit më ndihmoi shumë.
Fillova ta përjetoja përsëri futbollin si kur isha fëmijë, si një pasion të pastër, dhe mendoja vetëm për lojën. Përveç kësaj, nuk dija anglisht, prandaj nuk i kuptoja njerëzit se çfarë më thoshin", tregoi ai duke qeshur.
Pas rikthimit te Interi, rol të rëndësishëm pati edhe trajneri i atëhershëm Luciano Spalletti.
"Gjatë përgatitjeve, një tifoz filloi të më fyente, ndërsa Luciano menjëherë u vërsul drejt tij për t'u përballur. Për fat, mes tyre ishte një gardh. Gjithmonë do t'i jem mirënjohës për këtë", tha Ranocchia.