Safet Sushiq: Kroacia është dobësuar, Modriç është në fund të karrierës! Nuk e njoh mjaftueshëm Serbinë 

Futboll

Safet Sushiq: Kroacia është dobësuar, Modriç është në fund të karrierës! Nuk e njoh mjaftueshëm Serbinë 

Nga: B.S. Më: 19 nëntor 2026 Në ora: 13:42
Safet Sushiq, legjenda e futbollit boshjak, si dhe ish-përzgjedhësi i Bosnjë-Hercegovinës

Safet Sushiq, legjenda e futbollit boshjak, si dhe ish-përzgjedhësi i Bosnjë-Hercegovinës, mendon se për Bosnjën do të ishte më mirë që në shortin e plejofit për ngjitje në Ligën A të Ligës së Kombeve të shmangte Kroacinë dhe Serbinë.

Megjithatë, ai është i bindur se Bosnjë-Hercegovina ka cilësi të mjaftueshme për të kaluar cilindo kundërshtar të mundshëm.

Sushiqi, i cili e dërgoi Bosnjën dhe Hercegovinës në Kampionatin Botëror 2014 në Brazil, në një intervistë për mediumin boshnjak “Klix.ba” foli për përfundimin e fazës së grupeve të Ligës së Kombeve dhe suksesin e skuadrës së drejtuar nga Sergej Barbarez.

Bosnjë-Hercegovina, me fitoren 2:1 ndaj Rumanisë në Zenicë, e përfundoi grupin B4 në vendin e dytë me 11 pikë dhe siguroi pjesëmarrjen në plejof për ngjitje në kategorinë më të lartë të garës.

Bosnjë-Hercegovina mund të përballet me Kroacinë, Serbinë, Danimarkën ose Uellsin

Kundërshtarin do ta mësojë në shortin e së premtes, më 20 nëntor, ndërsa rivalët e mundshëm janë Kroacia, Serbia, Danimarka dhe Uellsi.

Ndeshja e parë do të zhvillohet në Bosnjë-Hercegovinë, nga 25 deri më 27 mars 2027, ndërsa takimet e kthimit janë në program nga 28 deri më 30 mars.

“Do të ishte mirë t’i shmangnim përfaqësueset e vendeve të ish-Jugosllavisë. Në përgjithësi, të gjithë njihemi mirë me njëri-tjetrin, prandaj mendoj se do të ishte më mirë t’i shmangnim. Më së miri do të ishte që të gjitha përfaqësueset tona të kalonin më tej, por, për fat të keq, kjo nuk është e mundur”, deklaroi Sushiq.

Ish-përzgjedhësi i Bosnjë-Hercegovinës mendon se Kroacia nuk është më në nivelin që ishte para disa vjetësh.

Kroatët e përfunduan fazën e grupeve të Ligës së Kombeve në vendin e tretë në grupin A1 dhe kështu u bënë njëri prej kundërshtarëve të mundshëm të Bosnjë-Hercegovinës në plejof.

“Modriç është në fund të karrierës”

“Shanset e kombëtares sonë kundër Kroacisë janë reale. Ata janë pak më të dobët sesa ishin para dy apo tre vjetësh. Luka Modriç është në fund të karrierës. Ai i ka dhënë shumë Kroacisë dhe ndoshta nuk është më lojtari që ishte dikur”, u shpreh Sushiq.

Ai foli edhe për mundësinë e përballjes me Serbinë, për të cilën pranoi se nuk ka njohuri të mjaftueshme.

Megjithatë, beson te gjenerata aktuale e futbollistëve të Bosnjë-Hercegovinës dhe mendon se ajo mund të luajë në mënyrë të barabartë kundër të gjithë kundërshtarëve të mundshëm.

“Nuk e njoh mjaftueshëm Serbinë, por edhe kundër saj, edhe kundër Kroacisë, Bosnjë-Hercegovina ka shanse reale, sepse tani kemi një kombëtare të re. Barbarezi, në ndeshjen kundër Rumanisë, disa lojtarë i la në bankinë. Kundër secilës prej këtyre përfaqësueseve kemi shanse të mira për të fituar”, deklaroi Sushiq.

Sushiq e dërgoi Bosnjë-Hercegovinën në garën e parë të madhe në histori

Sushiq është një nga figurat më të rëndësishme në historinë e futbollit të Bosnjë-Hercegovinës. Si përzgjedhës, ai e dërgoi kombëtaren në Kampionatin Botëror 2014 në Brazil, që ishte pjesëmarrja e parë e këtij shteti në një garë të madhe ndërkombëtare pas shpalljes së pavarësisë.

Skuadra e tij atëbotë e përfundoi grupin kualifikues në vendin e parë, përpara Greqisë, ndërsa në Kampionatin Botëror e mposhti Iranin, por nuk arriti të kalonte grupin, ku bënin pjesë edhe Argjentina dhe Nigeria.

Gjenerata aktuale, nën drejtimin e Sergej Barbarezit, ka siguruar mundësinë për t'u ngjitur në kategorinë elitare të Ligës së Kombeve, ndërsa Sushiq beson se ka cilësi të mjaftueshme për të bërë një tjetër hap përpara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat