Haxhijaj: KOK-u, synim kryesor ka arritjen e sa më shumë normave Olimpike

Sporti

Haxhijaj: KOK-u, synim kryesor ka arritjen e sa më shumë normave Olimpike

Nga: Kemajl Goca Më: 6 janar 2021 Në ora: 17:51
Haxhija: KOK-u, synim kryesor ka arritjen e sa më shumë normave Olimpike

Vitin që e lamë pas, padyshim se ka qenë viti më i vështirë në tërë globin, duke u ballafaquar me armikun e padukshëm, Covid 19. 

Si në të gjithë botën, edhe sportistët e Republikës së Kosovës,  u ballafaquan me probleme të mëdha gjatë pandemisë, që vërtet ka shkaktuar goxha dëme në secilën disiplinë sportive.

Shasivar Haxhijaj, sekretar i përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK-u), në intervistën për gazetën kombëtare “Bota sot”, tregon për vështirësitë që hasën në vitin 2020. Ai, po ashtu tregon se  me sa sportistë synojnë që të marrin pjesën në Lojërat Olimpike në Tokio, a do të kemi kategorizimin e federatave në fillim të këtij viti dhe cila është porosia e tij për klubet, federatat dhe sportistët. 

Image

 “Bota sot”:  Z. Haxhijaj, viti 2020, jo vetëm për Kosovë por për gjithë globin ka qenë vit problematik, shkak pandemia. Sa ishte vështirë të menaxhohet situata në përgjithësi dhe a mendoni se sportistët tanë dhanë provimin?
Shasivar Haxhijaj:
Viti 2020 ishte viti më i vështirë në historinë e sportit të Kosovës, për shkak të pandemisë globale Covid 19, edhe pse ky vit ishte i tillë për gjithë sportin botëror, po ashtu edhe për të gjitha fushat tjera të jetës në mbarë botën. Siç thotë populli “Mos u Harroftë”.

Sa i përket menaxhimit të situatës, mund të thuhet se nuk ishte edhe aq e lehtë, as për ne si Komitet Olimpik i Kosovës dhe as për federatat sportive e klubet e Kosovës.  Nëse kihen parasysh ndryshimet e shpeshta të masave të ndërmarra nga institucionet përgjegjëse të Kosovës, e po ashtu edhe nga ato ndërkombëtare, ku u anuluan shumë aktivitete sportive vendore e ndërkombëtare, si kampionate shtetërore, kampionate evropiane, e botërore, madje u shtynë për një vit edhe Lojërat Olimpike Tokio 2020, këto vërtetë sjellën shumë probleme tek ne. 

Bazuar në këto, i gjithë komuniteti i sportit i Kosovës duhej përshtatur këtyre rrethanave të reja që sportistët tanë mos të mbeteshin larg palestrave e fushave të tyre stërvitore dhe kështu të ruhej forma e tyre e mirë.

Falë bashkëpunimit të mirë, së bashku me institucionet tona, e bashkërisht me federatat, klubet dhe sportistët e Kosovës ja dolëm disi ta mbyllim 2020. Edhe pse shumë më pak aktivitete ndërkombëtare këtë vit, prapëseprapë rezultatet kulminante nuk munguan për sportin e Kosovës.

Në vitin 2020 sportistët tanë arritën ti sjellin 2 medalje të bronzta nga Kampionati Evropian për senior në xhudo, si dhe 13 medalje për grup-mosha të reja nga kampionatet evropiane dhe ballkanike. Pra duke i parë sfidat nëpër të cilat kaluam mund të thuhet se sportistët tanë ja dolën të kalojnë me sukses edhe këtë vit.

“Bota sot”:  Jemi në vitin 2021, vit i Olimpiadës, cili është plani konkret i KOK-ut dhe a do të jetë vit i madh për sportin tonë?
Shasivar Haxhijaj:
Komiteti Olimpik i Kosovës për vitin Olimpik ka plane të shumta. Ashtu siç dihet, deri më tani ne kemi një normë Olimpike të zyrtarizuar nga sporti i mundjes, si dhe jemi brenda 5 normave tjera Olimpike nga sporti i xhudos. KOK, synim kryesor ka arritjen e sa më shumë normave Olimpike, në mënyrë që të dërgoj sa më shumë sportistë në Tokio me normë Olimpike. Këto synojmë ti arrijmë përmes mbështetjes financiare të sportistëve në përgatitje në kampet stërvitore më të fuqishme që mund të ekzistojnë në botë. 

Image

Po ashtu synojmë që sportistët që kanë gjasa të fitojnë normën olimpike të ju mbulojmë ndonjërën nga garat me të rëndësishme të tyre në 6 mujorin e parë, pra deri kur të jenë të hapura garat për arritje të normës Olimpike.
KOK synon që në LO Tokio 2020 të merr pjesë më së paku 12 sportistë. Ne presim se Kosova nga LO do të kthehet me medalje Olimpike.
 
“Bota sot”: A do të kemi kategorizim të federatave në këtë fillim vit?
Shasivar Haxhijaj:
Bazuar në Rregulloren e Kategorizimit të Sporteve, KOK si viteve të kaluara do të bëjë kategorizimin, edhe pse këtë vit është shumë më vështirë, ngase atë që e thamë më lartë, federatat janë dëmtuar shumë me anulimin e shumë aktiviteteve sportive vendore e ndërkombëtare gjatë vitit 2020. Mirëpo Pas vlerësimit që do e bëjë komisioni i vlerësimit të KOK,  mund të dilet me konstatime. 

Pastaj duhet diskutuar së bashku MKRS e KOK, e ndoshta edhe federatat, për të gjetur zgjidhjen me te mirë të mundshme, zgjedhje kjo e cila nuk do të duhet të jetë jashtë rregulloreve dhe legjislacionit në fuqi.

Mendimi im është se në asnjë rrethanë kategorizimi i sporteve për vitin 2020 nuk duhet të penalizoj federatat, por duhet të ndodh e kundërta, federatat dhe sportet e Kosovës nga ky proces duhet të dalin të pa dëmtuara, më të forta dhe më të mbështetura nga institucionet shtetërore.
  
“Bota sot”: Cila është porosia për federatat, klubet dhe sportistët?
Shasivar Haxhijaj:
Për fund uroj që viti 2021 të përfundoj kjo pandemi e cila dita ditës po i dëmton të gjithë sektorët, si dhe uroj që federatat klubet dhe sportistët të jenë sa më afër njëri tjetrit për të ndihmuar që  bashkërisht të kalojmë edhe këtë sfidë sa ka mbetur dhe po ashtu të përgatiten sa më mirë që Kosova të përfaqësohet në të gjitha nivelet e garave ndërkombëtare për vitin 2021 dhe sukseset të jenë akoma më të mëdha se sa viteve të kaluara.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat