Rruga e kampionit olimpik! Shaban Tërstena: Nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi...

Sporti

Rruga e kampionit olimpik! Shaban Tërstena: Nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi...

Nga: K.G. Më: 7 dhjetor 2021 Në ora: 14:29
Rruga e kampionit olimpik! Shaban Tërstena: Nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi...

Sportisti shqiptar, më i miri i të gjitha kohërave, ish mundësi Shaban Tërstena, ka shkruar në profilin e tij në facebook, se si i ka tubuar materialet për të botuar monografinë.

Kampion olimpik në vitin 1984 në Los Anxhelos dhe nënkampion olimpik në Seul të vitit 1988, shumë tituj të botës e të Evropës, mesdhetarë e në ish Jugosllavi. 

“Në ditën e sotme, 5 vite më parë, më 7 dhjetor të vitit 2016, për herë të parë bëra promovimin e librit tim autobiografik ‘Rruga e kampionit olimpik’ në hotelin ‘Aleksandar Palace’ në Shkup. 

Image

Disa vite më parë fillova ta studioj dhe analizoj vetveten më thellë se si dhe nga erdhi i gjithë ky sukses i madh dhe si arrita të fitoj aq shumë medalje, të sfidoj kundërshtarët më të fuqishëm në bote, kur dihet se rrjedh nga një familje e varfër me kushte të rënda të jetës dhe si çdoherë kemi qenë i diskriminuar në kohërat më të vështira në sistemin e kaluar, në të cilin kemi jetuar. 

Pas 3 - 4 viteve hulumtime, kërkime, mbledhje të materialeve arkivore, fotografi, intervista, pas ditëve dhe netëve të panumërta pune të mundimshme, në bashkëpunim të ngushtë me familjen time dhe me autorët Seferi, Reshati  ‘Rruga e kampionit olimpik’ bëri një jehonë të madhe te lexuesit në vendlindjen time dhe gjithashtu edhe në shtete tjera të botës.

Image

Ky libër tregon në mënyrë të drejtpërdrejtë shpirtin e një kampioni olimpik, përvojën time, sfidat, luftërat sfilitëse, fitoret e mia dhe humbjet.

Kush ka paramenduar se një dite nga kjo lagje e varfër, e paurbanizuar dhe në mungesë të kushteve elementare për jetesë do të lindë një kampion olimpik, dhe se pas 19 vitesh do të festojmë për medaljen e artë olimpike së bashku me shokët e lagjes sime.

Nga analiza e bërë erdha në përfundimin se e gjithë kjo e arritur është vetëm rezultat i një vullneti dhe sakrifice të madhe, duke derdhur shumë djersë për të arritur deri te ngjitja drejt majave të Olimpit.

Ajo që më plotëson si sportist është fakti që kam shkruar sadopak me forcën dhe shpirtin tim një pjesë të historisë të sportit botëror, e aq më tepër kur këtë ëndërr e realizova që në moshën 19 vjeçare.

Për të arritur deri te ky titull  duhej të kaloja shumë vite sprova, sakrifica dhe përpjekje titanike, sepse duhej të pushtoja arenat sportive të pesë kontinenteve të botës, duke mposhtur sportistë të mëdhenj të botës.

E ajo që më bën krenar është fakti se në 127 vitet e olimpizmit akoma mbetem rekordmen, si fitues më i ri i medaljes së artë olimpike. 

Ngjitja në majën e Olimpit nuk ishte e lehtë. Për të arritur atje më duhej mbi supe të mbaja peshën e madhe në karrierën time sportive, duke korrur 741 fitore dhe vetëm 27 humbje, duke marrë pjesë në 42 turne në botë ku kam fituar 30 medalje të arta, të cilat sot me plot krenari i mbaj në duar në moshën time 57 vjeçare.

Image

Ky libër është përplotë me storie, në të cilat askush nuk më ka pyetur se si i kam fituar medaljet dhe ne çfarë kushte kam jetuar, por më pyetnin si u bëra kampion. Rruga ka qenë e vështirë, e mundimshme, është derdhur shumë djersë për medaljet e arta.

Unë nuk kam zhvilluar luftë vetëm me kundërshtarët e mi, që kanë qenë kampionë botëror, evropianë dhe olimpikë, por njëkohësisht betejën më të madhe e kam zhvilluar me vetveten. Rivalët e mi kishin ekip profesional me masazherë që u qëndronin pranë, madje edhe në saunë, ndërsa unë isha i vetëm pa ndihmën e askujt. Megjithatë, në fund sërish i mposhta të gjithë.

Nuk ka gjë më të vështirë dhe më sfiduese ne jetë se të jesh në atë kohë një djalosh i ri që para vetes kishte ushqim të llojllojshëm, por që nuk guxon ta shijojë atë, meqë duhet të dobësohesha 10,12 kg për të arritur peshën e caktuar prej 52 kg sa kërkohej në kategorinë time garuese.
Por këtë që po e them do t’ju shërbejë lexuesve dhe të gjithë të tjerëve si mësim për shumë gjëra, të cilat për herë të parë i kanë dëgjuar ndonjëherë të vërtetën.

Do të mësojnë për shumë padrejtësi që më janë bërë, do të mësojnë se si të tjerët janë pasuruar me shtëpia dhe kanë bërë emër në kurrizin tim pa qenë as njëherë me sukseset e mija. Libri është një nxitje, motiv shtesë për gjithë ata që kanë dëshirë t'i arrijnë qëllimet e tyre në jetë. 
Jam shpallur sportist i shekullit XX në Republikën e Maqedonisë, por edhe sportist mbarëshqiptar i shekullit XX. 

Jam shpallur sportist më i mirë në ish Jugosllavi në vitin olimpik 1984, jam shpallur 7 herë sportist më i mirë i Maqedonisë dhe 10 herë jam shpallur sportist i qytetit të Shkupit, Kjo ishte rruga ime "Rruga e kampionit olimpik"

Ky libër tregon në mënyrë të drejtpërdrejt shpirtin e një kampioni olimpik, përvojën time, sfidat, luftërat, fitoret dhe humbjet e mia, por edhe gëzimet dhe hidhërimet.

Kemi lindur në këtë botë të lëmë "gjurmë" në këtë tokë për t'i shërbyer të mirës së njerëzimit, të gjithë jemi përkohësisht në këtë botë. Libri është i përjetshëm.

Ju faleminderit një pjesë të njerëz të mirë për respektin dhe vlerësimin dhe po ashtu edhe për duartrokitjet e juaja, me sinqeritet dhe çiltërsi, me çka keni treguar se dini të vlerësoni sukseset e mia që i kam arritur”, ka shkruar Tërstena.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat