Kosova siguron kualifikimin tutje për në Botërorin e futsallit, fitoren ndaj Skocisë ia dedikon “Dardanëve”

Sporti

Kosova siguron kualifikimin tutje për në Botërorin e futsallit, fitoren ndaj Skocisë ia dedikon “Dardanëve”

Më: 9 prill 2022 Në ora: 19:46
Kosova siguron kualifikimin tutje për në Botërorin e futsallit, fitoren ndaj Skocisë ia dedikon “Dardanëve”

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka shënuar sot fitore kundër asaj të Skocisë, fitore kjo e dyta radhazi për “Dardanët” në kuadër të kualifikimeve për Kampionatin Botëror 2024 të futsallit.

Kosova e ka mposhtur sot Kombëtaren e Skocisë me rezultat 4:1, kështu duke e siguruar kualifikimin tutje për në fazën e ardhshme, atë të “Main Round”.

Pas fitores 2:0 ndaj Bullgarisë, lojtarët e përzgjedhur nga trajneri Arben Simitçiu në Varna të Bullgarisë e siguruan biletën tutje për në Botëror me fitoren e sotme ndaj Skocisë, ku protagonisti kryesor i ndeshjes ishte Drilon Maxharraj, i cili shënoi plot tre gola, respektivisht hat-trick.

Golin e vetëm të ndeshjes për skocezët e shënoi Bradley Steedman në minutën e 14-të.

“Jam shumë i lumtur me këtë fitore dhe me kualifikimin që kemi arritur. Po ashtu, ndjehem mirë që e dhashë kontributin tim me tre gola në këtë ndeshje, të cilët ua dedikoj tifozëve tanë ‘Dardanët’”, tha golashënuesi i tre golave, Maxharraj.

“Tani kundër Armenisë presim një lojë të fortë. Normalisht se do të luajmë pa stres dhe shpresoj se do të vazhdojmë me paraqitje të mira dhe ta mbyllim këtë fazë në pozitën e parë në grup”, shtoi më tej Maxharraj.

Ndeshjen e fundit në kuadër të këtij rrethi kualifikues Kosova e zhvillon të hënën kundër Armenisë, ku po ashtu synon fitoren, pavarësisht se tashmë e ka siguruar kualifikimin tutje.

Të nderuar lexues të gazetës “Bota sot”, komentet që përmbajnë fyerje, ofendime dhe sharje nuk lejohen në portal. Andaj, komentet e juaja do të kalojnë në filtra për aprovim dhe të tillat që përmbajnë gjuhë që nuk përkon me rregullat, nuk do të aprovohen. Ju faleminderit.
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat