​Sportistët nga Kosova të motivuar, premtojnë medalje në Sllovaki

Sporti

​Sportistët nga Kosova të motivuar, premtojnë medalje në Sllovaki

Më: 22 korrik 2022 Në ora: 19:00
Foto ilustrim

Ekipi i sportistëve të rinj kosovarë është nisur sot drejt qytetit të Banska Bystrica të Sllovakisë, ku do të përfaqësojnë Kosovën në Festivalin Olimpik Evropian Veror për të Rinj (EYOF).

EYOF Banska Bystrica do të fillojë garat më datën 24 të këtij muaji, dhe do të zhvillohet deri më datën 30 korrik, ku pjesëmarrës nga Kosova do të jenë gjithsej 13 sportistë. 

Atletika prin me tre garues, xhudo, noti, tenisi dhe badminton kanë nga dy, ndërsa çiklizmi dhe gjimnastika artistike nga një garues.

Para nisjes drejt Sllovakisë, presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës (KOK), Ismet Krasniqi, iu uroi fat sportistëve kosovarë, ndërsa për KosovaPress, tha se shpreson që këta të rinj do ta japin maksimumin e tyre që të kthehen në Kosovë me medalje. 

Krasniqi: Shpresoj që edhe këtë herë sportistët e rinj do të na bëjnë krenarë dhe të kthehen në Kosovë me medalje

"Unë besoj që sportistët janë të përgatitur. Secili në federatat e tyre kanë bërë punën e tyre sepse kemi kontaktuar edhe me trajnerët dhe me përfaqësuesit e federatave të tyre, na kanë treguar që janë të përgatitur, mirëpo normalisht edhe të tjerë sportistë nga vendet e tjera janë të përgatitur kështu që kjo është një, të themi, një luftë sportive, kush është më i miri por besoj që sportistët tanë siç kanë marrë tash atë hovin e sukseseve, edhe këtë herë sportistët e rinj do të na bëjnë krenarë dhe do të kthehen në Kosovë me medalje”, tha Krasniqi.

Në anën tjetër, gjimnastja e vetme që e përfaqëson Kosovën në EYOF, Vilëza Zeqiri, për KosovaPress, tregoi rutinën e saj të përgatitjeve, ndërsa tha se do ta përfaqësojë vendin tonë në mënyrën më të mirë.

Zeqiri: Synimi im është ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë

"Ne jemi përgatitur shumë. Kemi ushtruar pesë herë në javë nga dy herë në ditë që me arrit një sukses sa më të mirë kur të shkojmë atje......Synimet e mija janë që ta përfaqësojë Kosovën sa më mirë”, tha Zeqiri. 

Krahas gjimnastikës, edhe sporti i atletikës do të përfaqësojë Kosovën në këtë festival, ku atletja Vesa Isufi tregoi që është tejet e lumtur që është pjesëmarrëse e këtyre garave, ndërsa tha se synimi i saj është të kthehet me medalje. 

Jusufi: Jam shumë e lumtur që jam pjesë e këtij festivali, synimi është të marrë medalje 

"Jam shumë e lumtur që po bëjë pjesë në këtë festival, jam e lumtur që federata më ka përzgjedhur si atleten më të mirë, dhe do të japë maksimumin që ta përfaqësoj Kosovën sa më mirë.......Synimi është me marrë medalje, ishalla, por sidoqoftë me rëndësi pjesëmarrja”, tha Jusufi. 

Në mesin e atletikës e gjimnastikës bënë pjesë edhe sporti i tenisit, i cili do të përfaqësohet nga Salidin Rama dhe Altea Hajrizi. 

Rama tha se pjesëmarrja në EYOF ka domethënie të madhe për të, pasi që nuk po e përfaqëson vetëm emrin e tij, por të gjithë Kosovën. 

Rama: Është një gjë e madhe për mua, jam duke luajtur si Kosova dhe jo vetëm në emrin tim

"Është një gjë shumë e madhe për mu sepse jam duke e përfaqësuar Kosovën dhe jam duke luajtur sikur Kosova dhe jo vetëm në emrin tim edhe është shumë një krenari e madhe për mu.....Dua që të kthehem me medalje dhe të jem njëri nga ata të cilët janë kthyer me medalje nga Festivali Olimpik", ka thënë ai.

Synimin e vetëm te medalja e ka edhe kolegia e tij në sportin e tenisit, Altea Hajrizi, e cila ndër të tjera tregoi për KosovaPress, se ka kryer përgatitjet në Zvicër vetëm për të arritur suksese në EYOF dhe të bëjë krenare familjen e saj dhe Kosovën.

Hajrizi: Përgatitjet i kam kryer në Zvicër, dua ta bëjë krenare familjen dhe Kosovën

"Dua që ta bëjë krenare Kosovën dhe dua shumë ta bëjë krenare familjen time pasi që më ka mbështetur këtu... Unë jam përgatitur shumë, tashmë ushtroj edhe në Zvicër. Tash jam e përgatitur shumë për këtë turne dhe dua që të kthehem me medalje”, tha ajo.

Për Komitetin Olimpik të Kosovës, EYOF-i, i tanishëm veror është i katërti, pas përfaqësimit në Tbilisi në vitin 2015, Gyor në vitin 2017 dhe Baku në vitin 2019.

Deri më tani, KOK ka vetëm një medalje të fituar në EYOF, me atletin Muhamet Ramadani në Baku 2019, i cili kishte fituar të artën në hedhjen e gjylës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat