​Çeku: Me reformën në sport synojmë konsolidimin e themeleve të sistemit sportiv në vend

Sporti

​Çeku: Me reformën në sport synojmë konsolidimin e themeleve të sistemit sportiv në vend

Më: 28 shtator 2022 Në ora: 20:16
Hajrulla Çeku

Ministri i Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku ka bërë të ditur se ka nisur punëtoria dy ditore në të cilën janë shpalosur dy dokumente të rëndësishme të reformës në sport. Draftet e Koncept dokumentit për sportin dhe Strategjisë shtetërore.

Sipas Çekut, strategjia do të prodhojë një vizion afatgjatë për zhvillimin e sportit dhe do të trasojë rrugën përpara, ndërsa koncept dokumenti përbën bazën analitike për ndryshimet e domosdoshme në legjislacionin dhe politikat përcjellëse të sportit dhe sektorëve ndërlidhës.

Në postimin e tij në “Facebook”, i pari i MKRS-së, ka thënë se reforma synon konsolidimin e themeleve të sistemit sportiv dhe vendosjen e sportit e aktivitetit fizik në prioritet të qeverisjes në vend. Specifikisht, ky angazhim ka për qëllim përmirësimin e standardeve të qeverisjes së mirë brenda organizatave sportive, ngritjen e cilësisë së garës në sportin elitar, pjesëmarrjen e të gjitha grupeve shoqërore në sport e aktivitet fizik, konsolidimin e infrastrukturës fizike, strukturimin e mbështetjes financiare dhe rritjen e suksesit e rezultatit ndërkombëtar në sport.

Njëherit Çeku u ka bërë thirrje të gjitha akterëve të përfshirë në këtë reformë që të vazhdojnë angazhimin dhe kontributin e tyre deri në finalizimin e koncept dokumentit, strategjisë, ligjit dhe akteve të tjera të kësaj reformë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat