Aliti: Sporti është i pastër, pozitiv dhe argëtues

Sporti

Aliti: Sporti është i pastër, pozitiv dhe argëtues

Më: 8 mars 2023 Në ora: 17:00
Besim Aliti

Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK), ka nisur implementimin e projektit për fushatën për edukimin e komunitetit sportiv për integritetin në sport, projekt ky i fituar në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar.

Për ta zbatuar projektin, KOK ka formuar një grup punues, i cili do të punojë ngushtë me federatat sportive, me të cilat do të nisë takimet.

KOK synon që përmes kësaj nisme, të luftohen dukuritë negative në sport, si: Lufta kundër dopingut, parandalimi i manipulimit të garave, parandalimi i ngacmimeve dhe abuzimeve në sport, etj.

“Jemi shumë të lumtur që e kemi fituar këtë projekt në Komitetin Olimpik Ndërkombëtar dhe jemi të gatshëm që të fillojmë punën intensive në kuadër të kësaj fushate.

Ajo çfarë synojmë të arrijmë nëpërmjet këtij projekti, është që të sigurohemi që sporti është i sigurt, sporti është i pastër, pozitiv dhe argëtues për të gjithë personat e përfshirë, pavarësisht nga mosha, gjinia, orientimi seksual, përkatësia etnike dhe sociale, feja dhe niveli i aftësisë ose paaftësisë së tyre”, deklaroi sekretari i përgjithshëm i KOK-ut, Besim Aliti.

“Gjithashtu nëpërmjet këtij projekti synojmë ndërtimin e një kulture për të vepruar gjithmonë në interesin më të mirë të të gjithëve që janë të përfshirë në sport, dhe krijimi i një mjedisi të sigurt e të besueshëm për të gjithë personat e përfshirë”, shtoi ai.

Grupi i punës për integritet në sport në kuadër të KOK-ut tashmë i ka mbajtur dy takime dhe ka përgatitur planin e veprimit për vitin 2023 për implementimin e këtij projekti.

Në kuadër të projektit do të organizohen fushata të ndryshme, duke përfshirë këtu edhe sportistët eminent në vendin tonë, si dhe do të organizohen Seminare me ligjërues ndërkombëtar me temat që kanë të bëjnë me Integritetin në Sport.

Objektivat kryesore të projektit janë:

1. Prezantimi para gjithë komunitetit sportiv në Kosovë dhe grupet e tjera të interesit se sporti i pastër është mbi të gjitha.

2. Realizimi i fushatës në bashkëpunim me federatat sportive, si dhe me partnerët e tjerë vendorë e ndërkombëtarë, si dhe me grupe të tjera të interesit.

3. Implementimi i kodit etik nga federatat sportive dhe emërimi i zyrtarëve për integritet në sport në këto federata.

4. Monitorimi, vlerësimi dhe rishikimi i politikave dhe udhëzimeve.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat