Sportisti i njohur habit: Vdiqa katër herë, humba 22 kilogramë!

Sporti

Sportisti i njohur habit: Vdiqa katër herë, humba 22 kilogramë!

Nga: K.G. Më: 10 korrik 2025 Në ora: 16:31
Ben Askren

Ish-kampioni i MMA-së, Ben Askren, habit botën sportive. 

Ai ka folur nga shtrati i tij në spital pasi iu nënshtrua një transplanti të dyfishtë të mushkërive. 

“Në një rrëfim emocional, ai zbuloi detajet tronditëse të luftës së tij për jetë, e cila zgjati më shumë se një muaj dhe e la pa kujtime të momenteve më kritike”, transmeton mediumi kroat “Veçernj List”.

Nga shtrati i tij në spital, dukshëm më i dobët por me një buzëqeshje të dallueshme, ai ndau me publikun detajet tmerruese.

"Vdiqa katër herë, zemra ime ndaloi për rreth njëzet sekonda.

Kjo nuk është gjë e mirë, shpresoj ta dini këtë ", tha Askren, duke shtuar se nuk mban mend pothuajse asgjë nga periudha 28 maji deri më 2 korrik.

Ai e mësoi historinë e plotë vetëm pasi lexoi një ditar të mbajtur nga gruaja e tij Amy. Shënimet e saj, siç thotë ai, lexohen "si një skenar filmi".

Drama filloi kur Askren u shtrua në spital në Wisconsin për pneumoni të rëndë që u zhvillua nga një infeksion stafilokoksik. Gjendja e tij u përkeqësua shpejt, duke bërë që ai të vendoset në komë të induktuar.

Gruaja e tij, Amy, njoftoi më 7 qershor se Beni ishte në gjendje kritike dhe po "lutej për një mrekulli". Mjekët i thanë asaj në atë kohë se nëse ai mbijetonte, do të ketë nevojë për një transplant të mushkërive.

Pas javësh pasigurie, transplanti i dyfishtë u krye me sukses më 30 qershor dhe Askren tani është në një rrugë të gjatë drejt shërimit.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat