Andrea Berishaj është kampione në sportin e taekwondo-s.
Shqiptarja është zgjedhur sportistja më e mirë në Mal të Zi nga Komiteti Olimpik i Malit të Zi.
“Tri medalje nga gara të mëdha i ka rreth qafës së saj, dhe tani kurora e sportistes më të mirë të Malit të Zi është në kokën e saj”, shkruan mediumi malazez “Vijesti”.
Vajza që fitoi medaljen e bronztë në Kampionatin Evropian në garën e senioreve, si dhe të njëjtat medalje në Kampionatin Botëror dhe të Kontinentit të Vjetër midis të rejave dhe senioreve, ku mori çmimin e më të mirës nga Dushan Simonoviq, president i KOM-it, në një ceremoni tradicionale në Vila Gorica.
"Është një nder dhe privilegj i madh të qëndroj para jush dhe të marr një çmim që ka një rëndësi të veçantë sepse vjen nga institucioni ombrellë i sportit tonë", tha Andrea Berishaj.
"Nuk është vetëm një konfirmim i rezultateve të arritura, por edhe provë e bindjes sime se me punë të palodhshme, disiplinë dhe besim në vetvete, të gjitha objektivat e vendosura mund të arrihen", shtoi Andrea.
Sportistja më e mirë e Malit të Zi nuk e ka ndërmend të ndalet.
"Falënderoj Komitetin Olimpik të Malit të Zi dhe të gjithë ata që i njohën përpjekjet e mia, dhe e shoh këtë çmim si një përgjegjësi të madhe dhe një nxitje për të vazhduar edhe më fortë, më të guximshëm dhe më të vendosur", nënvizoi ajo.
Ajo gjithashtu kishte një mesazh të veçantë për familjen e saj dhe motrën Angjella, e cila gjithashtu shkëlqen në taekwondo.
"Ia kam borxh mirënjohjen time më të madhe për atë që jam sot familjes sime, e cila gjithmonë ka qenë pranë dhe më ka mbështetur kur gjërat ishin më të vështira. Sidomos motrës sime Angjella - idhulli im, frymëzimi im dhe kampionia më e madhe që njoh", përfundoi Andrea Berishaj.