​Investimet dhe sporti, në fokus të “Rrugës 2030” për Prishtinën

Sporti

​Investimet dhe sporti, në fokus të “Rrugës 2030” për Prishtinën

Më: 14 shtator 2026 Në ora: 13:22
Fotoilustrim

Organizimi i Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030” përbën një nga projektet më përcaktuese kombëtare për gjeneratën e ardhshme në Kosovë, duke e shndërruar ambicien sportive në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik.

Kështu është shprehur drejtori ekzekutiv i Këshillit të Investitorëve Evropianë (EIC), Emrush Ujkani, gjatë hapjes së edicionit të parë të platformës “Rruga 2030: Kosova në Skenën Mesdhetare”, me temën “Lidhja e Sportit, Investimeve dhe Rritjes Rajonale”.

Në fjalën e tij para investitorëve, përfaqësuesve të Komitetit Olimpik të Kosovës, diplomatëve dhe komunitetit sportiv, Ujkani theksoi se organizimi i kësaj ngjarjeje shkon shumë përtej kufijve të sportit.

Sipas tij, Lojërat Mesdhetare janë një mundësi e jashtëzakonshme për të mobilizuar investime të huaja, për të përshpejtuar modernizimin e infrastrukturës, për të nxitur turizmin dhe për të hapur perspektiva të reja punësimi për të rinjtë.

Ujkani tha se për realizimin e një projekti të përmasave të tilla nevojitet një bashkëpunim i mirëfilltë mes sektorit publik dhe atij privat, ndërsa theksoi gatishmërinë e EIC-së për të qenë partner i institucioneve të Kosovës.

Ujkani: Një projekt kombëtar i këtij përmase kërkon bashkëpunim të mirëfilltë publiko-privat

“Këshilli i Investitorëve Evropianë (EIC) është një shoqatë biznesi dhe një nismë e sektorit privat. Ne nuk jemi një institucion shtetëror, e as nuk kërkojmë të zëvendësojmë përgjegjësitë e një institucioni publik. Roli ynë është plotësues. Një projekt kombëtar i këtij përmase kërkon bashkëpunim të mirëfilltë publiko-privat, ku secila palë respekton përgjegjësitë e veta dhe kontribuon me njohuritë, resurset dhe përvojën e saj. EIC është i gatshëm të jetë një partner serioz, konstruktiv dhe afatgjatë për institucionet publike të Republikës së Kosovës. Kudo që rrjeti ynë, përvoja ndërkombëtare dhe prespektiva e sektorit privat mund t'i shërbejnë interesit publik, ne jemi të gatshëm të angazhohemi. Ne besojmë në transparencë, profesionalizëm, investime të përgjegjshme dhe partneritete që krijojnë vlerë të qëndrueshme për Kosovën dhe popullin e saj”, tha Ujkani.

Në këtë aktivitet foli edhe Shefi i Bashkëpunimit në Zyrën e Bashkimit Evropian në Kosovë, Hubert Perr, i cili vlerësoi nismën dhe rëndësinë e përgatitjeve për organizimin e Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”.

Perr tha se kjo ngjarje duhet të shfrytëzohet si një mundësi historike për Kosovën që të prezantohet dhe të afirmohet në skenën ndërkombëtare.

Perr: Kosova të mund të shkëlqejë vërtet në skenën ndërkombëtare

“Më lejoni ta nis duke falënderuar dhe uruar Këshillin e Investitorëve Evropianë për largpamësinë dhe vizionin e tij për organizimin e këtij aktiviteti që do të jetë i periodik deri në vitin 2030, me qëllim që kjo rrugë të jetë e suksesshme dhe që Kosova të mund të shkëlqejë vërtet në këtë skenë ndërkombëtare që do të jenë Lojërat Mesdhetare këtu në Prishtinë. Mendoj se me të vërtetë, dhe sapo e thashë, nuk mund të mbivlerësohet rëndësia e këtij aktiviteti, dhe është më shumë se një aktivitet, për Kosovën. Dhe mendoj se është vërtet një mundësi historike që do t'ju lejojë të prezantoheni dhe të shkëlqeni në këtë skenë ndërkombëtare”, deklaroi Perr.

Ndërkaq, Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Aliti, foli për rëndësinë e investimeve në sport dhe infrastrukturë, në mënyrë që Kosova të mund të arrijë rezultate edhe më të mëdha në arenën ndërkombëtare.

Aliti theksoi se krahas sporteve ku Kosova tashmë ka rezultate të rëndësishme, duhet të punohet edhe në zhvillimin e disiplinave të tjera sportive.

Aliti: Na duhen investime në sport për më shumë rezultate

“Kur bëhet fjalë për sportin, mendoj se si KOK duhet të jemi në gjendje të shohim sportistët tanë të arrijnë rezultate më të mira, të jenë më konkurrues, të fitojnë më shumë norma olimpike, të fitojnë më shumë medalje. Natyrisht, për ta bërë këtë, ka disa gjëra që duhet ta përcaktojnë këtë lloj suksesi. Ju nevojiten përgatitje të duhura, ju nevojiten investime në sport, ju nevojiten programe dhe ju nevojitet të zhvilloni sporte ku për momentin nuk arrini asnjë rezultat. Xhudoja nuk është problem. Xhudoja po arrin rezultate fantastike. Po punojmë mirë tani në boks, në karate. Karateja nuk është sport olimpik, por është pjesë e Lojërave Mesdhetare. Por ne duhet të shikojmë, ju e dini, disiplinat e tjera sportive, si të investojmë, si të startojmë dhe të zhvillohemi. Kjo shkon paralelisht me infrastrukturën, sepse nuk mund të ketë sport të duhur në një vend nëse nuk investojmë në një infrastrukturë të qëndrueshme, diçka që mund të përdoret nga gjeneratat e ardhshme, diçka që e vendos Kosovën në qendër të organizimit të ngjarjeve të ardhshme sportive”, theksoi Aliti.

Platforma “Rruga 2030: Kosova në Skenën Mesdhetare” synon të shërbejë si një hapësirë e vazhdueshme për diskutimin e mundësive që sjell organizimi i Lojërave Mesdhetare në Kosovë, veçanërisht në fushën e investimeve, infrastrukturës, turizmit dhe zhvillimit ekonomik.

Lojërat Mesdhetare “Prishtina 2030” pritet të jenë një nga ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare të organizuara ndonjëherë në Kosovë, me potencial për të lënë pas një trashëgimi të qëndrueshme infrastrukturore dhe ekonomike. Përgatitjet për këtë ngjarje tashmë kanë hyrë në një fazë ku bashkëpunimi ndërinstitucional, investimet dhe mobilizimi i sektorit privat konsiderohen ndër faktorët kryesorë për suksesin e projektit.

Kosova fitoi të drejtën për organizimin e edicionit të vitit 2030 më 8 shtator 2023, në Heraklion të Greqisë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat