​Kosova merr pjesë në Kampionatin Ballkanik të Seniorëve në pingpong

Sporti

​Kosova merr pjesë në Kampionatin Ballkanik të Seniorëve në pingpong

Më: 16 shtator 2026 Në ora: 10:39
​Kosova merr pjesë në Kampionatin Ballkanik të Seniorëve në pingpong

Përfaqësuesja e Kosovës në pingpong do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Seniorëve, i cili do të zhvillohet nga 15 deri më 19 shtator në Sarajevë.

Kosova do të garojë në konkurrencën e meshkujve dhe të femrave, ndërsa sportistët kosovarë do të kenë mundësi të paraqiten edhe në garat individuale dhe në çifte.

Në konkurrencën e meshkujve, Kosovën do ta përfaqësojnë Kreshnik Mahmuti, Fatih Karabaxhaku dhe Blend Hajdari, nën drejtimin e trajnerit Rifat Rifati. Në fazën e grupeve, ekipi kosovar do të përballet me Moldavinë dhe Maqedoninë e Veriut, me synim kalimin e fazës së grupeve dhe vazhdimin e garës.

Ndërkohë, në konkurrencën e vajzave pjesë e ekipit do të jenë Shega Hashani, Leoresa Imeri dhe Alma Mehmeti, të udhëhequra nga trajneri Ridvan Hashani. Vajzat kosovare do të përballen me Rumaninë, Greqinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Përveç garave ekipore, në kuadër të kampionatit do të zhvillohen edhe garat individuale dhe ato në çifte, duke u ofruar përfaqësuesve të Kosovës mundësinë për të garuar në disa disiplina.

Gjatë qëndrimit në Sarajevë, kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës (FPPK), Nehat Çitaku, i cili është edhe nënkryetar i BTTU-së, do të marrë pjesë në mbledhjen e radhës të Bordit të BTTU-së. Në Kongresin e BTTU-së do të marrë pjesë edhe anëtari i Bordit, Gani Pireva.

Në kongres pritet të shqyrtohen, ndër të tjera, propozimet për ndryshime në statutin e BTTU-së, si dhe çështja e pranimit të Qipros Veriore në cilësinë e anëtarit vëzhgues.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat