Ministri i Sportit dhe Rinisë, Blerim Gashani, ka pritur në takim përfaqësuesit e Federatës së Pingpongut të Kosovës, me të cilët ka diskutuar për bashkëpunimin institucional dhe zhvillimin e mëtejmë të këtij sporti në vend.
Në takim kanë marrë pjesë kryetari i Federatës së Pingpongut të Kosovës, Nehat Çitaku, sekretari Fadil Luta dhe anëtari i Bordit të Federatës, Sheremet Hoti.
Gjatë takimit është diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Sportit dhe Rinisë dhe Federatës së Pingpongut, si dhe për rezultatet e pingpongut kosovar në arenën ndërkombëtare.
Pjesë e diskutimeve kanë qenë edhe planet dhe aktivitetet e përbashkëta për periudhën e ardhshme, me synim mbështetjen dhe avancimin e pingpongut në Kosovë.
Vëmendje e veçantë i është kushtuar mundësisë së organizimit të garave ndërkombëtare të pingpongut në Kosovë. Sipas palëve, organizimi i këtyre ngjarjeve do të krijonte mundësi për zhvillimin dhe promovimin e mëtejmë të këtij sporti, si dhe për rritjen e prezencës së Kosovës në kalendarin ndërkombëtar të garave.
Takimi ka shërbyer për të diskutuar hapat e ardhshëm të bashkëpunimit ndërmjet institucioneve dhe Federatës, në funksion të zhvillimit të pingpongut kosovar.