Këtë të shtunë, më 17 tetor, në Miradi të Fushë Kosovës do të organizohet për herë të parë gara e formatit “Backyard Ultra”, një lloj ultramaratone ku garuesit duhet të përfundojnë një rreth prej 6.7 kilometrash brenda 60 minutave.
24 rrathë të përfunduar përkthehen në rreth 160 kilometra, pra 100 milje, brenda 24 orëve.
Megjithatë, gara nuk përfundon pas 24 orësh: vazhdon për aq kohë sa garuesit arrijnë t’i përfundojnë rrathët brenda afatit. Kjo e bën “Backyard Ultra” një garë ku nuk fiton domosdoshmërisht vrapuesi më i shpejtë, por ai ë arrin të qëndrojë më gjatë në garë.
Në fillim të çdo ore, garuesit nisen sërish në një rreth të ri, derisa të mbetet vetëm një garues. Ai duhet ta përfundojë i vetëm rrethin e fundit për ta fituar garën. Nëse nuk ia del, gara përfundon pa fitues.
Organizatori Bleron Rrustemi dhe garuesi ndihmës Dren Krasniqi kanë treguar për këtë format të veçantë, përgatitjet, rregullat dhe sfidat që i presin pjesëmarrësit.
“Ne jemi duke e organizuar ultramaratonën e kategorisë ‘Backyard’, që njëkohësisht është një nga formatet më të reja të ultramaratonës në botë. Ka filluar të mbahet në vitin 2011 dhe qëllimi i saj është që brenda 24 orëve të përshkohen 100 milje, që i bie rreth 6.7 kilometra për çdo orë. Për këtë arsye, formati ‘Backyard Ultra’ është i tillë që çdo orë duhet t’i përfundosh 6.7 kilometrat, të kthehesh para se të përfundojë koha dhe të nisesh në orën tjetër. Realisht, këtë garë do ta cilësoja si një nga më të vështirat, për shkak se nuk ka një distancë ku mund të ndalesh ose ta dish se kur ke kohë të ndalesh. Gara për ty përfundon kur nuk mund të arrish në kohë ose nuk mund ta nisësh rrethin tjetër. Do të thosha se është një nga ultramaratonat më të vështira që mund ta bësh. Ultramaratona fillon më 17 tetor, në orën 07:00 të mëngjesit, dhe çdo orë do të rifillojë rrethi prej 6.7 kilometrash, derisa të mbetet vetëm një garues. Garuesi i fundit duhet ta përfundojë rrethin e fundit i vetëm. Nëse nuk arrin ta përfundojë, gara përfundon pa fitues”, ka shpjeguar Rrustemi.
Përveç rregullave dhe vështirësisë së garës, një tjetër aspekt i rëndësishëm është interesimi i pjesëmarrësve për këtë format të ri në Kosovë. Garuesi Dren Krasniqi, ka bërë të ditur se deri më tani janë regjistruar 100 pjesëmarrës, me objektiva të ndryshëm.
“Deri tani janë regjistruar 100 garues, disa për vetëm tre rrathë, disa për gjashtë, e disa për ultramaratonën e plotë. Për çudi, fillimisht interesimi ka qenë më i ngadaltë, por është rritur vazhdimisht, pasi njerëzit e kanë parë se çfarë eventi është dhe sa serioz ka qenë organizimi. Besoj se e kanë parë që është një event shumë i mirë dhe kanë vendosur të marrin pjesë shumë më tepër garues”, ka thënë Krasniqi.
Rritja e interesimit ka ardhur pas një periudhe përgatitjesh, gjatë së cilës organizatorët është dashur të gjejnë lokacionin e përshtatshëm dhe të krijojnë kushtet për mbajtjen e garës. Rrustemi ka treguar se ideja kishte lindur disa muaj më parë, por realizimi kërkonte një terren të përshtatshëm.
Përgatitjet nuk përfshijnë vetëm shtegun dhe hapësirën ku do të zhvillohet gara. Sipas Rrustemit, pjesëmarrësit duhet të jenë të përgatitur edhe për aspektin praktik të një sfide që mund të zgjasë shumë orë, duke siguruar ushqimin, pajisjet dhe mbështetjen e nevojshme.
Përveç sfidës personale dhe mundësisë për të përmirësuar rezultatet, gara do të ketë edhe shpërblime financiare për pjesëmarrësit që arrijnë të qëndrojnë më gjatë në garë. Rrustemi ka bërë të ditur se çmimi kryesor do t'i takojë garuesit të fundit që mbetet në pistë.
“Çmimi për garuesin e fundit që mbetet është 1.500 euro, ndërsa garuesi i dytë, të cilin e quajmë ‘The Assist’, shpërblehet me 500 euro. Këto janë dy çmimet që jepen në këtë format, ndërsa për çmimet e tjera do të shohim. Kemi disa befasi që do t’i zbulojmë kur të nisë gara”, ka bërë të ditur Rrustemi.
Në fund, organizatori ka theksuar se pjesëmarrja në një ultramaratonë nuk kërkon domosdoshmërisht shumë vite përvojë, duke inkurajuar edhe ata që duan të provojnë një sfidë të re sportive.
Kjo garë synon të jetë një motivim edhe për atletët e rinj që të mos frikësohen nga vështirësitë, por t’i shohin ato si mundësi për t’u zhvilluar dhe për të zbuluar potencialin e tyre. Çdo garues mund ta vendosë një synim personal, ta sfidojë veten dhe të përpiqet t’i thyejë rekordet e veta, duke dëshmuar se përparimi fillon atëherë kur guxon t’i kalosh kufijtë e tu.