Zvicra pëson humbjen e dytë radhazi, këtë herë mposhtet nga Suedia

Sporti

Zvicra pëson humbjen e dytë radhazi, këtë herë mposhtet nga Suedia

Më: 7 nëntor 2026 Në ora: 17:59
Pamje nga ndeshja Zvicra - Suedia

Zvicra në hokej ka pësuar humbjen e dytë në Euro Hockey Tour, pasi është mposhtur nga Suedia me rezultat 4:2 në Helsinki.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Jan Cadieux zhvilloi një ndeshje me shumë luhatje, duke arritur edhe të përmbyste rezultatin, por në fund suedezët dolën triumfues.

Suedia kaloi fillimisht në epërsi me golin e Victor Stjernborgut, pas një gabimi në organizimin e lojës nga zviceranët.

Në minutën e 27-të, Dominik Egli barazoi shifrat në 1:1 me një goditje të fuqishme nga distanca gjatë lojës me një lojtar më shumë në akull.

Vetëm pesë minuta më vonë, Zvicra realizoi përmbysjen e madhe. Denis Malgin dhe Sven Andrighetto kombinuan bukur gjatë një kundërsulmi, ndërsa ky i fundit shënoi për 2:1, edhe pse zviceranët ishin me një lojtar më pak në akull.

Megjithatë, Suedia reagoi dhe në minutën e 37-të Adam Ollas-Mattsson realizoi për 2:2.

Në periodën e fundit, suedezët morën sërish kontrollin e ndeshjes. Fredrik Eriksson shënoi për 3:2 në minutën e 47-të, ndërsa Jacob Larsson vulosi fitoren me golin e katërt në minutën e 57-të, duke shfrytëzuar epërsinë numerike pas ndëshkimit të Ken Jägerit.

Suedia dominoi edhe në statistikat e goditjeve drejt portës, me 38 kundrejt vetëm 13 të Zvicrës.

Pas humbjes 3:1 nga Finlanda dhe kësaj disfate 4:2 ndaj Suedisë, Zvicra mbetet pa pikë në dy ndeshjet e para të turneut.

Ndeshjen e fundit në këtë turne, zviceranët do ta zhvillojnë të dielën ndaj Çekisë, me fillim nga ora 13:30.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat