Zvicra e ka mbyllur me zhgënjim fazën e grupeve në Kampionatin Botëror të hokejit për femra, që po zhvillohet në Danimarkë. Në ndeshjen e fundit të Grupit A, zviceranet u mposhtën nga Gjermania me rezultat 1:3.
Zvicra e nisi mirë takimin, duke kaluar në epërsi në minutën e nëntë me golin e Alessia Baechler. Megjithatë, gjermanet reaguan në pjesën e dytë dhe arritën ta përmbysin rezultatin.
Në minutën e 34-të, Laura Kluge barazoi në 1:1, ndërsa vetëm 55 sekonda më vonë, Nina Jobst-Smith shënoi për epërsinë 2:1 të Gjermanisë.
Goditjen përfundimtare zviceraneve ua dha Emily Nix, e cila vetëm dy minuta pas fillimit të periudhës së tretë realizoi për rezultatin 3:1.
Pavarësisht përpjekjeve për t'u rikthyer në lojë, Zvicra nuk arriti të shënonte golin e dytë, ndërsa Gjermania e administroi me sukses epërsinë deri në fund.
Pozita përfundimtare në grup ende e paqartë
Pas kësaj humbjeje, Zvicra nuk e ka të sigurt nëse do ta përfundojë Grupin A në vendin e tretë apo të katërt.
Gjithçka varet nga ndeshja mes Çekisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Nëse Çekia arrin të marrë të paktën një pikë, Zvicra do të zbresë në pozitën e katërt dhe në çerekfinale do të përballet me Kanadanë.
Në rast se SHBA-ja fiton brenda 60 minutave, Zvicra do të mbetet në vendin e tretë dhe në çerekfinale do të ndeshet me Suedinë.
Ndeshjet çerekfinale do të zhvillohen të premten, ndërsa zviceranet do të ketë një ditë pushimi para sfidës së radhës.