Mezani: Në Kosovë më sulmuan vazhdimisht

Futboll

Mezani: Në Kosovë më sulmuan vazhdimisht

Më: 5 dhjetor 2020 Në ora: 14:29
Mezani: Në Kosovë më sulmuan vazhdimisht

U bë një javë që iku nga Gjilani, por vetëm tani zbulon arsyet e vërteta të këtij vendimi.

Gentjan Mezani rrëfen për “Panorama Sport” se në Kosovë është ndier i sulmuar për dy vite me radhë.
Dorëheqjen e kishte menduar më parë, ndërsa e cilëson një aventurë pozitive dhe vlerëson marrëdhënien e veçantë që ka pasur me presidentin.

Nuk kishte si të mos fliste edhe për Flamurtarin, për të cilin shpreson që ta shijojë fitoren e parë në ndeshjen me Tomorin.

Pse u largua Mezani nga Gjilani?

E kisha menduar që më parë. Pas një problemi familjar që kalova, nuk e dija sa do të mungoja dhe mendova që klubi duhet të bënte një zgjidhje tjetër. Gjithsesi, presidenti nuk e pranoi. Me rikthimin tim, disa gjëra nuk shkuan ashtu siç duhet dhe mendova që të ikja për të mos humbur investimin. Kjo ishte një çështje morale imja, pasi mbështetja dhe besimi i presidentit nuk më ka munguar kurrë.

Mendoni se ka pasur paragjykime ndaj jush në Kosovë?

Nuk mund të them ka pasur apo jo paragjykime në ambientin që më rrethonte, pasi ne kemi pasur rezultate dhe arritëm edhe objektivin që kishim vendosur. Por, një gjë më ka bërë shumë përshtypje dhe kjo nuk ishte vetëm sivjet, por ka qenë edhe vjet. Kanë qenë sulme të njëpasnjëshme kundrejt meje dhe lojtarëve nëpër studiot televizive. Nuk e di nga u lindi ajo urrejtje, sepse e shfaqnin shumë.

Si e vlerësoni eksperiencën në Kosovë?

Për mua ka qenë një eksperiencë shumë e bukur dhe ndihem mirë që bëra shumë miq të rinj atje, përpos aspektit profesional.

Keni lënë disa futbollistë shqiptarë atje, a do të qëndrojnë ata pas largimit tuaj?

Unë vërtet jam larguar nga Gjilani, por do të vazhdoj ta ndihmoj Gjilanin sa herë të më nevojitet, që do të thotë se edhe nëse do të ketë nevojë të bindë ndonjë lojtar për të mos u larguar, do të jem aty. Por, ata janë profesionistë dhe duhet të zbatojnë kontratën.

Po përfliteni se mund të merrni drejtimin e një skuadre në Kategorinë Superiore. Keni pasur kontakte me Laçin dhe Apoloninë?

Asnjë skuadër nuk më ka kontaktuar momentalisht.

Flamurtari nuk e ka shijuar ende fitoren, çfarë duhet të bëjë?

Nuk e di si është momentalisht situata te Flamurtari, por sigurisht që më vjen keq. Shpresoj që me Tomorin të shijojnë fitoren dhe të kenë një ecuri pozitive. Kategoria e Parë është shumë e egër dhe e fortë dhe lojtarët që ka aktualisht ekipi janë të rinj. Nuk e di sa të aftë do jenë për ta mbajtur presionin. Unë mendoj se aktivizimi do t’u bëjë mirë dhe ata do të krijojnë eksperiencën e duhur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat