Dede: Fitorja në Laç pa vazhdimësi nuk ka asnjë vlerë

Futboll

Dede: Fitorja në Laç pa vazhdimësi nuk ka asnjë vlerë

Më: 12 dhjetor 2020 Në ora: 12:26
Dede: Fitorja në Laç pa vazhdimësi nuk ka asnjë vlerë

Pas fitores së parë në stolin e Tiranës, Nevil Dede ka qenë edhe më i çliruar. Fjalët i dilnin rrjedhshëm nga goja, në konferencën e sotme për shtyp, një ditë para ndeshjes së radhës me Apoloninë. Ndër të tjera, ai nënvizoi: “E rëndësishme është që çunat e ndjenë veten më mirë dhe arritën të marrin tri pike ndaj laçit. Ishte ndeshje e vështirë përballë një kundërshtari shumë të fortë. Gjithçka duhet të pasohet nga një ecuri posztive, që të ketë vlerë edhe fitorja në Laç.

Apolonia? E kam thënë dhe do ta them se në Superiore nuk ka kundërshtarë të lehtë. Në të njëjtën mënyrë do të vlerësojmë Apoloninë, që është një skuadër simpatike dhe di të luajë futboll. Nuk është skuadër që mblidhet mbrapa dhe mendon vetëm të mbrohet. Është e natyrshme që kur shënon dhe je në avantazh gjithçka të duket më e lehtë, Janë disa faktorë, si ai psikologjik. Nëse ti je na avantazh e ke më të lehtë dhe kundërshtari nis të humbë durimin dhe ti mund të shprehesh më mirë.

Kemi lojtarë me eksperiencë dhe shumë të talentuar, me perspektivë shumë të madhe, siç janë edhe lojtarët e ardhur nga akademia. E rëndësishme është se ka një ndjenjë dhe frymë harmonike në skuadër. Kjo është më e rëndësishmja. Duke shtuar edhe rezultatet, gjithçka bëhet më e lehtë.

Formacioni? Në disa momente, një skuadër duhet të ketë bosht të caktuar, ku disa lojtarë mbajnë ngarkesë më shumë. Por, edhe rotacioni duhet të ekzistojë për shkak të ngjeshjes së madhe të ndeshjeve. Në do mundohemi të bëjmë më të mirën. E rëndësishme është të kem sa më shumë zgjedhje.

Objektivi i radhës? Në momentin që ne nuk fitojmë ndaj Apolonisë, bie edhe rëndësia e fitores në Laç. Ajo ishte një fitore e rëndësishme për ecurinë e kampionatit, sepse jo çdokush mund ta mundë Laçin. Lojtarët tanë kanë eksperiencën dhe talentin e duhur si dhe dinë të marrin përgjegjësi.

Gara për titull? Besoj se në mesin e fazës së dytë mund të qartësohet çdo skuadër. Të gjithë në këtë periudhë kanë problematikë ngjeshjen e ndeshjeve. Të gjithë mendojnë të ruajnë energji dhe lojtarët për ngarkesat e mëdha fizike.

Në merkato mund të ketë zhvillime të tjera, por gjithsesi mendoj se fundi i fazës së dytë do jetë tabloja, që mund të konturojë skuadrat për titullin kampion. Është kampionat shumë i vështirë, asnjë përballje nuk është e lehtë. Edhe rezultatet janë të ngushta.

Tirana po merr formë. Nuk është korrekte të tregoj pozicionet e lojtarëve apo mënyrën si i përgatisim ndeshjet. E rëndësishme është se kemi dy sulmues, dy numra 10, shumë mesfushorë qendre dhe katër apo pesë qendërmbrojtës. Kemi lojtarë krahu shumë të talentuar dhe të gjitha këto më bëjnë të mendoj se kemi marrë formë. Filozofia jonë? Të sulmojmë me gjithçka kemi, bashkë tifozët që na mbështesin gjithmonë, megjithëse na mungojnë në stadium. Por, edhe do të mbrohemi me gjithçka mundemi.

Mua më intereson se Muçi po rritet nga dita në ditë, jo vetëm në kualitet, sepse atë e ka pasur gjithmonë. Është një djalë me shumë perspektivë dhe shumë i talentuar, por po sakrifikon në ndeshje. Kemi parë ndeshjen me Laçin dhe sparkatat në ndeshjen me Partizanin. Po rritet si person. Ai ka kuptuar se të bëhesh lojtar i madh duhet të punosh shumë. Detajet e vogla e bëjnë një futbollist të madh. Uroj çdo futbollist të ketë karrierë të suksesshme dhe të ndihet i realizuar. Komandën e japin financat dhe në momentin që ato e kënaqin një klub, atëherë ato mendojnë se edhe një lojtar i talentuar mund të shitet. Mua më intereson që lojtarët të rriten dhe për Muçin jam i lumtur.

Hasani dhe Ngoo? Çdo skuadër në botë dëshiron të përmirësohet, edhe klubet më të mira, që janë në vend të parë. Unë dua të kem besimin e grupit, sepse kjo është shumë e rëndësishme dhe nëse ndodh kështu, gjithçka shkon mirë. Emrat janë gjithmonë të mirëpritur, por më të mirët në botë për mua janë ata që trajnoj për momentin dhe besojnë tek unë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat