UEFA publikon formacionin më të frikshëm

Futboll

UEFA publikon formacionin më të frikshëm

Më: 1 janar 2021 Në ora: 15:46
Messi dhe Ronaldo

Nëse do luanin të gjithë së bashku në një ekip do dominonin Evropën në futboll. Gjithsesi e kanë bërë edhe ndryshe, duke fituar thuajse gjithçka. Jo më kot janë përfshirë edhe për vite të tëra në “Ekipin e Vitit” nga UEFA.

Kjo e fundit tani sjell një formacion ndryshe, me ata që më së shumti janë përfshirë mes yjeve të Evropës. Emra shumë të njohur, nga të cilët një pjesë ende shkëlqejnë.

IKER CASILLAS (6 herë – 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012) – Portieri ishte pjesë e rëndësishme e Spanjës dhe Real Madrid, duke fituar EURO 2008 dhe EURO 2012, si dhe World Cup 2010. Ai u përfshi 6 herë në Ekipin e Vitit, një herë më shumë se legjenda e Juventusit, Gianluigi Buffon.

SERGIO RAMOS  (8 herë – 2008, 2012, 2013, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018) – Mbrojtësi i Spanjës dhe Real Madrid është përzgjedhur më shumë se kushdo mes Ekipit të Vitit, madje ka qenë pjesë e tij për shtatë vite radhazi. Sukseset në Champions League, por edhe me kombëtaren e tij, i kanë sjellë vlerësimet e mësipërme.

GERARD PIQUÉ (5 herë – 2010, 2011, 2012, 2015, 2016) – Mbrojtësi katalanas, pjesë e rëndësishme e Barcelonës dhe kombëtares spanjolle, është nominuar 10 herë dhe në gjysmën e rasteve është përfshirë në Ekipin e Vitit. Pa asnjë dyshim një nga lojtarët më të mirë dhe fitues i shumë trofeve, me kombëtaren dhe klubin e tij.

CARLES PUYOL (6 herë – 2002, 2005, 2006, 2008, 2009, 2010) – Mbrojtësi legjendar i Barcelonë ishte një nga pikat më të forta të katalanasve, që triumfuan në Champions League në vitit 2006, 2009 dhe 2011. Gjithashtu ai u shpall kampion Europe me Spanjën në EURO 2008 dhe kampion bote në World Cup 2010.

PHILIPP LAHM (5 herë – 2006, 2008, 2012, 2013, 2014) – Gjermani, një simbol i perfeksionit, për dhjetë vite ishte një nga më të mirët mbrojtës. Këtë e tregon edhe fakti që ishte gjithmonë i nominuar dhe pesë herë u bë pjesë e Ekipit të Vitit. Suksese me Bayern Munich dhe kampion bote me Gjermaninë në World Cup 2014.

STEVEN GERRARD (3 herë – 2005, 2006, 2007) – Mesfushori legjendar i Liverpool dhe Anglisë, për tre vite radhazi ishte pjesë e Ekipit të Vitit, madje në një sezon fitoi Champions League me “The Reds”. Gerrard u nominua shtatë herë për në Ekipin e vitit, më shumë se Modric (6 herë), Kaka (5 herë, Ronaldinho (4 herë), Toni Kroos (4 herë), Pavel Nedved (3 herë), Zinedine Zidane (3 herë).

XAVI HERNANDEZ (5 herë – 2008, 2009, 2010, 2011, 2012) – Spanjolli, një yll te kombëtarja dhe Barcelona, regjistroi suksese të rëndësishme me klubin e tij, duke fituar Champions League, si dhe fitoi dy kampionate Europiane dhe një Botëror me Spanjën. Në vitin 2005 u nominua, kurse nga vitit 2008 ishte pesë vite radhazi në Ekipin e Vitit.

ANDRES INIESTA (6 herë – 2009, 2010, 2011, 2012, 2015, 2016) – Suksese të pafundme, me Spanjën dhe Barcelonë, sikurse edhe Xavi. Për herë të parë ishte pjesë e Ekipit të Vitit në vitin 2009, për t’u përfshirë në të për katër vite radhazi. Pak pushim dhe dy herë të tjera, në periudhën 2015-2016.

CRISTIANO RONALDO (14 herë – 2004, 2007, 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2013, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019) – Gjithçka nisi në vitin 2004, kur Greqia mundi Portugalinë në finalen e Europianit. CR7 bëri një pauzë 3-vjeçare dhe nga vitit 2007 është përfshirë 13 herë radhazi në Ekipin e Vitit. Ka fituar gjithçka, me Manchester United, Real Madrid dhe Juventusin, si dhe Euro 2016 në Francë me Portugalinë.

LIONEL MESSI (11 herë – 2008, 2009, 2010, 2011, 2012, 2014, 2015, 2016, 2017, 2018, 2019) – 13 herë i nominuar, ndërkohë që vetëm dy herë nuk është përfshirë në Ekipin e Vitit. Nga viti 2008, vetëm në vitin 2013 Leo Messi nuk është përfshirë mes yjeve nga UEFA. Me Barcelonën ka bërë “kërdinë”, duke fituar gjithçka.

THIERRY HENRY (5 herë – 2001, 2002, 2003, 2004, 2006) – Sulmuesi francez, pjesë e kombëtares së tij dhe Arsenalit, ishte i pari që u përfshi për katër vite radhazi në Ekipin e Vitit dhe kjo ndodhi në periudhën 2001-2004. Ai u përfshi në formacionin më të mirë edhe në vitin 2006 dhe është nga sulmuesit më të vlerësuar.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat