Vaksinimi në ''Air Albania'', ekipet e vaksinimit do të vendosen në impiantin e kryeqytetit

Futboll

Vaksinimi në ''Air Albania'', ekipet e vaksinimit do të vendosen në impiantin e kryeqytetit

Më: 4 janar 2021 Në ora: 14:19
Stadiumi kombëtar "Air Albania"

Stadiumi kombëtar "Air Albania" do të kthehet në një qendër vaksinimi për COVID-19. Ky është vendimi që është marrë nga qeveria shqiptare sipas asaj që njoftoi kryeministri Edi Rama në fundin e vitit të shkuar.

Pritet që brenda këtij muaji vaksina të mbërrijë në vendin tonë dhe menjëherë të nisin procedurat për shpërndarjen e saj fillimisht tek mjekët dhe personat më të rrezikuar e më pas tek pjesa tjetër e popullatës.

Gazetari i Euronews Albania, Jurgen Zela raportoi nga ‘Air Albania’, ku siç tha kanë nisur përgatitjet për ta kthyer impiantin në qendër vaksinimi dhe nga e marta pritet që policia të marrë masa për ruajtjen e ambienteve të tij.

Nga informacionet e siguruara nga Euronews Albania bëhet me dije se në bazë të kërkesave të ekspertëve të shëndetit, do të ndërhyhet në impiantin e ndriçimit dhe ajrimit dhe se akomodimi nuk do të nisë nga pjesa e fushës së stadiumit, por nga pjesa e tribunës që do të përshtatet si qendër vaksinimi .

Në një deklaratë për mediat në ditën e parë të vitit 2021 kryeministri Edi Rama bëri me dije se Shqipëria ka siguruar 500 mijë doza të vaksinës Pfizer dhe ky nuk është fundi i përpjekjeve për të siguruar gjithë dozat e nevojshme.

Kreu i qeverisë tha s vaksina do të jetë falas dhe jo e detyrueshme por e këshillueshme për të ndryshuar situatën e pandemisë në favor të popullsisë.

Ai tregoi se është dakordësuar me akt normativ për autorizimin e kontratës sipas marrëveshjes së konfirmuar zyrtarisht nga kompania Pfizer dhe do të paguhet menjëherë për vaksinat.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat