Zylbehari: Ekipi nga Çairi do të jetë rivali i Shkëndijës për titull 

Futboll

Zylbehari: Ekipi nga Çairi do të jetë rivali i Shkëndijës për titull 

Kemajl Goca Nga Kemajl Goca Më 10 shkurt 2021 Në ora: 19:33
Faton Zylbehari

Dy skuadra shqiptare, Shkëndija nga Tetova dhe Shkupi, do të luftojnë për titullin e kampionit të Maqedonisë së Veriut. Shkëndija ka përparësinë për faktin se ka 6 pikë më shumë se pozita e dytë, Shkupi.

Kuqezinjtë janë kampion vjeshtor me 39 pikë dhe po ashtu janë të bindur se do të ruajnë këtë pozitë deri në fund, që të dalin kampion. 

Zëdhënësi i Shkëndijes, Faton Zylbehari, tha se atmosfera është e shkëlqyeshme brenda klubit dhe sipas tij, janë edhe më të fortë me futbollist dhe në çdo aspekt tjetër se në pjesën e vjeshtës.

Ai tha se Shkëndija dallon nga rivalët për titullin e kampionit.   

“Bota sot”: Si e sheh Shkëndijen ne pranverë, një ekip më të fortë?
Faton Zylbehari:
Padyshim se vlerësoj një Shkëndijë më të fortë në raport me vjeshtën, duke cilësuar se kemi ngritur kualitetin me prurjet e reja.

Çdo skuadër ndërhyn në merkato për të përmirësuar ekipin dhe Shkëndija ka kërkuar të plotësojë disa pozita ku stafi teknik dhe kryesia kanë vlerësuar se kemi nevojë. Nuk jemi futur në merkato për të sjellë me çdo kusht kuantitet. Besoj se ekipi është përgatitur si duhet dhe të gatshëm presim gjysmësezonin pranveror”.

“Bota sot”: A do te jete lufta për titull mes dy skuadrave shqiptare, Shkëndijës dhe Shkupit?

Faton Zylbehari: Po, tabela tregon se Shkëndija dhe Shkupi do të jenë pretendentët kryesorë për titullin e kampionit, pa anashkaluar Makedonija Gj. P. që ka pikë të barabarta me Shkupin në vend të dytë. Gjithsesi personalisht Shkupin e shikoj më lartë se Makedonija Gj.P. dhe them se ekipi nga Çairi do të jetë rivali i Shkëndijës për titullin. Kryesia e Shkupit ka bërë punë të mirë në merkato dhe është e qartë se po ndërtojnë ekip cilësorë, por vlerësoj se Shkëndija qëndron më lartë dhe mbetet ekipi për tu mundur.

Është e qartë se do të jetë kampionat interesant, në të cilin Shkëndija besoj do të dëshmojë epitetin e favoritit.

“Bota sot”: Sa është vështirë të punohet në kohë pandemie, ka sjell telashe?
Faton Zylbehari:
Padyshim se po. Pandemia ka prishur balancet në gjithë botën dhe nuk është se futbolli apo Maqedonia janë përjashtim. Kufizime, testime, masa nga më të ndryshmet, padyshim se të vështirësojnë fushën e veprimit, por si gjithë tjerët edhe ne po adaptohemi dhe kërkojmë të nxjerrim më të mirën duke respektuar gjitha protokollet.

Uroj të përfundojë gjithë kjo sa më shpejtë, t’u kthehemi jetëve tona normale dhe të orientohemi 100% në deryrimet tona, pa marrë parasysh drejtimin dhe fushën veprimit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat