Dinamo-Skënderbeu, Kupa rikthen takimin pas 9 vitesh

Futboll

Dinamo-Skënderbeu, Kupa rikthen takimin pas 9 vitesh

Më: 16 mars 2021 Në ora: 11:37
Dinamo-Skënderbeu, Kupa rikthen takimin pas 9 vitesh

Në fund të sezonit 2010-2011 Dinamo e Skënderbeu bënin rokadë në fronin e Kategorisë Superiore. Blutë zbrisnin një kategori më poshtë, duke u dorëzuar kurorën korçarëve. Nga ai moment, “Nëndetësja” humbi në thellësinë e Kategorisë së Parë, ndërsa Skënderbeu shkroi historinë, duke u kualifikuar dy herë në grupet e Europa Leagues e duke fituar edhe 6 tituj të tjerë kampion.

Tashmë pas 9 vitesh Dinamo e Skënderbeu rigjejnë njëri-tjetrin, por jo me shkëlqimin e dikurshëm. Dinamovitët janë ende aty ku përfunduan në 2012-ën, në kategorinë inferior, me shpresën që të rikthehen mes më të mirëve pas 9 vitesh, ndërsa bardhekuqtë kërkojnë të mos rikthehen në Kategorinë e Parë pas 13 vitesh. Çerekfinalja e Kupës është shumë e rëndësishme për të dy ekipet që synojnë të jenë në gjysmëfinale, çka do të përkthehej në vetëm dy ndeshje larg trofeut.

Dinamo erdhi deri këtu duke eliminuar Flamurtarin dhe Bylisin, por nga ai moment janë larguar me dëshirë dy trajnerë, Cammarata dhe Moriero, dhe ekipi që vjen nga një fitore me Partizanin B  fundjavën e shkuar po drejtohet nga Olsi Uka.

Në krahun tjetër, “Ujqërit e Dëborës”, te cilët këtë kompeticion e kanë fituar vetëm një herë në vitin 2018. Pas fitores në “Elbasan Arena” ndaj Partizanit u mposhtën nga Laçi. Edhe pse vëmëndja është tek gara për mbijetesë, pse të mos e provojnë edhe rrugëtimin e gjatë në Kupën e Shqipërisë!

Përballë janë vendi i parë i Grupit A në Kategorinë e Parë me vendin e fundit në Superiore, ndoshta ashtu siç bënë rokadë në fronin e kampionit, do të bëjnë rokadë edhe në fund të këtij sezoni, por në një tjetër mënyrë, me Dinamon që do të ngjitej jo në fron, por në Superiore dhe me Skënderbeun qe do të zbriste në inferior.

Gjithsesi, për momentin, kalimi në gjysmëfinalen e Kupës është objektivi kryesor i të dy ekipeve. Kjo sfidë do të luhet ne Pezë Helmes, në orën 13:00, dhe do transmetohet “live” në SuperSport.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat