Shulku: Federata do të jetë e angazhuar në përgatitjen profesionale të gjithë aktorëve të futbollit

Futboll

Shulku: Federata do të jetë e angazhuar në përgatitjen profesionale të gjithë aktorëve të futbollit

Më: 18 mars 2021 Në ora: 14:29
Shulku: Federata do të jetë e angazhuar në përgatitjen profesionale të gjithë aktorëve të futbollit

Janë shpërndarë diplomat për pjesëmarrësit e kursit për trajnerin e përgatitjes atletike, që organizohet në FSHF.

Në ceremoninë e organizuar sot në ambientet e stadiumit “Air Albania” morën pjesë Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku, stafi i Sektorit të Edukimit në FSHF si edhe stafi i përgatitjes atletike në Federatë, Luigi Febbrari, Luca Laurenti dhe Iris Selimi.

Gjatë shpërndarjes së diplomave, Sekretari i Përgjithshëm Shulku, vlerësoi punën e mirë të bërë nga stafi i FSHF-së për organizimin e këtij kursi dhe u uroi sukses të gjithë pjesëmarrësve në karrierën e tyre. Gjithashtu, Shulku theksoi se Federata do të jetë gjithmonë e angazhuar në përgatitjen profesionale të gjithë aktorëve të futbollit, përmes kurseve të formimit për trajnerë, përgatitës atletikë, video-analistëve, fizioterapistëve, etj.

Kursi i trajnerëve të përgatitjes atletike u zhvillua për herë të katërt në dhjetor të vitit të kaluar dhe në të morën pjesë mbi 20 pjesëmarrës, të cilët punojnë nëpër klubet shqiptare dhe ushtrojnë këtë profesion. Këtë herë kursi u zhvillua me një format ndryshe, ku përveç specialistëve të sektorit të Edukimit në FSHF morën pjesë edhe trajnerët e përgatitjes atletike të Kombëtares, Liuigi Febbrari dhe Luca Laurenti.

Një pjesë e mirë e leksioneve u bënë përmes platformave online, ku morën pjesë lektorë të njohur të fushës nga Italia dhe shkolla e njohur e Koverçianos. Pas përfundimit të leksioneve pjesëmarrësit iu nënshtruan provimeve e më pas procesi u mbyll me diplomimin e tyre.

Duke parë suksesin e këtij formati dhe interesin e madh, FSHF ka menduar ta rikthejë kursin e përgatitjes atletike dhe në fund të muajit prill do të zhvillohet kursi i radhës, që është një mundësi e shkëlqyer për të gjithë të interesuarit për t’u kualifikuar profesionalisht përmes eksperiencës më të mirë bashkëkohore dhe lektorë me emër.

Sipas rregullores së FSHF, në çdo skuadër futbolli do të ketë një përgatitës atletik në stafin e saj, por edhe në stolin teknik.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat