Drejtori sportiv i Vitesse: Nuk më thanë…ja ku e ke Armando Brojën!

Futboll

Drejtori sportiv i Vitesse: Nuk më thanë…ja ku e ke Armando Brojën!

Më: 23 mars 2021 Në ora: 18:09
Drejtori sportiv i Vitesse: Nuk më thanë…ja ku e ke Armando Brojën!

Vitesse është konsideruar gjithmonë si “autoshkolla” e Chelsea-t. Klubi londinez ka talente të shumtë që nuk mund të fitojnë menjëherë hapësirën për të luajtur në ekipin e parë, por nga ana tjetër kërkojnë minutat e tyre për t’u zhvilluar më tepër.

E kur grupmoshat nuk mund ta mbajnë më produktin e nxjerrë, Chelsea e ka gati zgjidhjen: “Vitesse”. Në këtë dekadë të fundit janë 29 lojtarë të londinezëve që kanë përfunduar në Holandë me marrëveshjen e huazimit. Rasti më i freskët i fituar ishte Mason Mount që u rrit së tepërmi në “Eredivisie” dhe u kthye për të dhënë kontributin e tij në “Premier League”.

E gjitha kjo marrëdhënie e shkëlqyer bashkëpunimi mes klubeve vjen nga presidentët e tyre. Pronari rus i Vitesse, Valeriy Oyf, ka njohje miqësore me kreun e Chelseat, Roman Abramovich. Por në Holandë nuk e pranojnë në asnjë mënyrë të vetme që të quhen “sateliti i Chelsea-t” dhe për këtë japin shembull e Brojës.

Në një intervistë për “Goal”, drejtori sportiv i holandezëve, Johannes Spors, ka treguar se luftoi vetë për të marrë sulmuesin e Shqipërisë, shkruan sportekpres nga Tirana.

“Pronarët e klubeve njihen mirë me njëri-tjetrin dhe kjo është pika fillestare. Nga kjo vjen bashkëpunimi, por nuk është më shumë se kaq. Unë kam kontakte të mira me këshilltarin teknik te Chelsea, Petr Cech. Ndajmë ndonjëherë mendimet tona, flasim për futbollin, lojtarët e tyre dhe lojtarët tanë. Kemi komunikim të mirë.

Por të gjithë e dinë se ne nuk jemi sateliti i Chelsea-t. Është bukur kur ke një skuadër të tillë dhe drejtuesa për të ndarë mendime. Kam luftuar me të vërtetë shumë për Armando Brojën. Nuk ishte se unë doja Armandon dhe më thanë: “Ja ku e ke, merre”. Duhet ta bindja. Nëse thoshte jo, nuk vinte. Duhet të bindja dhe Chelsean për këtë vendim. Asgjë nuk ndodh thjeshtë për njohjen e presidentëve, por le të themi se të hap dyert”, u shpreh Johannes Spors.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat