Akuza për ndeshjen e kampionatit shqiptar, trajneri: Na kërcënuan, u godit me grusht…

Futboll

Akuza për ndeshjen e kampionatit shqiptar, trajneri: Na kërcënuan, u godit me grusht…

Më: 3 prill 2021 Në ora: 13:14
Akuza për ndeshjen e kampionatit shqiptar, trajneri: Na kërcënuan, u godit me grusht…

Valbona u mund minimalisht nga Ada, megjithatë kjo ndeshje nuk ka shkuar fort qetë. Tropojanët akuzojnë se në Velipojë janë kërcënuar dhe ndeshja nuk duhet të kishte nisur fare. Është vetë trajneri Mustaf Hysenaj që shpërthen në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, duke shënjestruar edhe delegatin e ndeshjes.

“Ka qenë një ndeshje nën presionin e disa vagabondëve, që vetëm emrin futboll nuk e kishin në shpirt. Jemi ndier nën presion që në ardhjen e ekipit në Velipojë.

Sharje dhe fyerje si për ne të stafit edhe për lojtarët. Na kanë bërë presion që të mos e hapim gojën për të udhëzuar lojtarët, pa llogaritur atë ndaj futbollistët. Sa për masat e zhvillimit të një ndeshjeje, as që bëhej fjalë. Nuk kishte as ambulancë e as persona të sigurisë. Vetëm tre policë të rendit ishin jashtë rrethimit të fushës. E për këtë organizim të keq të ndeshjes, ne akuzojmë klubin Ada dhe delegatin e ndeshjes Brikeno Pjetrushi, që nisi takimin në të tilla rrethana.

Në minutën e 21- të, kur ne po protestonim ndaj arbitrit për golin e velipojakëve, portieri Besnik Ndoj lë portën, kalon mesin e fushës dhe vjen atje ku ne po diskutonim me arbitrin. Godet me grusht futbollistin tonë Kledian Zllamja.

Edhe pse ky veprim ishte i dënueshëm me karton të kuq, arbitri nën presionin e skuadrës vendëse nuk nxori as të verdhin. Gjatë gjithë lojës u është bërë presion lojtarëve tanë në fushë nga vetë lojtarët e Adës, por edhe arbitrimi ishte në favor të Velipojës.

Presionet kanë qenë nga më të ndryshmet, si: ‘Do t’ju rrahim’, ‘Nuk ju lëmë të dilni gjallë nga fusha’, ‘Mos flisni’ etj. Prandaj, unë u bëj thirrje organeve të FSHF-së, sektorit të garave, që të marrin masa të menjëhershme për fushën sportive të Velipojës.

E pësuam ne, të paktën të mos e pësojnë dhe të tjerët e të mos ndodhin ngjarje më të rënda. Ne kurrsesi nuk e pranojmë atë rezultat, të nxitur nga dhuna psikologjike dhe grushtet në fushë. Për të gjitha këto, ne kemi pamjet filmike. Nuk është se na frikësuan ata palo lojtarë, por nuk donim që ekipi ynë të dënohej, ndaj zgjodhëm të mos reagonim”, përfundon trajneri i Valbonës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat