Grupet kriminale, pasuri në emër të sportistit të njohur shqiptar

Futboll

Grupet kriminale, pasuri në emër të sportistit të njohur shqiptar

Më: 15 prill 2021 Në ora: 15:31
Grupet kriminale, pasuri në emër të sportistit të njohur shqiptar

Grupet kriminale në Elbasan regjistrojnë pasuritë edhe në emër të peshëngritësit të njohur. Briken Calja është një nga peshëngritësit me emër shqiptar, por emri i tij figuron edhe në një nga dosjet e Policisë së Elbasanit në lidhje me grupet kriminale.

Në kuadër të sekuestrimit të pasurive prej 700 mijë eurosh në emër të shtetasit Kreshnik Musabelli, çështja ndaj të cilit është dërguar në Gjykatën e Lartë nga Prokuroria e Elbasanit, pasi Gjykata e Apelit të Durrësit vendosi kthimin e pasurive duke rrëzuar kështu vendimin e Gjykatës së Elbasanit, shkruan Panorama Sport.

Midis 13 personave që kanë lidhje me personin e hetuar është edhe peshëngritësi Briken Calja. Ekzistojnë të dhëna për veprimtari kriminale nga ana e personit nën hetim Kreshnik Musabelli, nipi dhe njëkohësisht pjesë e grupit kriminal të drejtuar nga shtetasi Nik Braka (Besnik Braka alias Nik Vojacek), i dënuar nga Gjykata e Shkallës së Parë për Krime të Rënda me 14 vjet burgim.

Në këtë grup, shtetasi Kreshnik Musabelli ka negociuar me persona të tjerë për tregtimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike në vendet e Bashkimit Evropian. Gjithashtu, i përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike rezulton edhe vëllai i Kreshnik Musabelli, shtetasi Gertian Musabelli, i cili në vitin 2004, është evidentuar nga autoritetet greke për veprimtari të paligjshme të trafikut të drogës. Të dhënat janë administruar nga zyra e Interpol Athina.

SEKUESTROT

Pasuritë ndaj Kreshnik Musabelli, u vendosën nën sekuestro më 24 korrik 2019. Policia njoftoi në atë kohë se në kuadër të hetimit të procedimit penal të regjistruar pranë kësaj Prokurorie, për veprën penale “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, u finalizua operacioni policor i koduar “Invest”, për vendosjen e sekuestrove preventive ndaj pasurisë së 33- vjeçarit.

Midis pasurive të sekuestruara ishte 1 apartament me sipërfaqe 350 m2, 1 truall me sipërfaqe 5000 m2 , 1 ndërtesë 200 m2 dhe një automjet. Nga vlerësimi paraprak i pasurive të sipërshënuara, rezulton se ato arrijnë vlerën e rreth 700 000 eurove. Por, rreth një vit më vonë, Gjykata e Apelit të Durrësit vendosi heqjen e sekuestros për pasuritë.

Vendimi për lirimin e pasurive është marrë në 24 qershor 2020, i cili urdhëronte heqjen e masës së sigurisë “sekuestro preventive”, të vendosur më herët.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat