Futbollisti i Tiranës pranon gabimin, kërkon falje

Futboll

Futbollisti i Tiranës pranon gabimin, kërkon falje

Më: 27 prill 2021 Në ora: 12:46
Futbollisti i Tiranës pranon gabimin, kërkon falje

Riçard Danso kthehet në ekipin e parë. Lojtari afrikan, i cili ishte dënuar nga klubi bardheblu për thyerje të disiplinës dhe ishte gjobitur me një shumë të majme, dje ka qenë në stërvitjen e ekipit të parë. Futbollisti ka lënë pas tri javë “burg” mes ekipit U-21 dhe të qenit spektator.

Ganezi ka pranuar gabimin dhe i ka kërkuar falje si klubit dhe trajnerit, duke premtuar që të mos gabojë më në të ardhmen. Ndërkohë, mësohet se lojtari është kthyer edhe për faktin se ganezi mund të ankohet në FIFA.

Jo zyrtarisht, lojtari u dënua nga klubi dhe trajneri Orges Shehi, sepse nuk i ishte përmbajtur rregullores së brendshme të skuadrës. E vërteta është se lojtari prej javësh nuk ka qenë zgjedhje e parë. Kjo, me sa duket, e ka mërzitur afrikanin që i ka kërkuar llogari trajnerit përse nuk është titullar.

Shehi në këtë rast e ka sqaruar se për momentin ai ka zgjedhur një formacion tjetër dhe duhet të presë radhën e tij ashtu siç kanë bërë shokë të tjerë në ekip kur luante Riçardi. Danso nuk e ka pëlqyer këtë fakt dhe ka ngritur krye.

Në këto kushte, ka ardhur edhe ndëshkimi. Pas relatimit të situatës nga drejtuesit e teknikës të skuadrës është vendosur që Danso të stërvitet dhe të luajë te 21-vjeçarët për thyerje të rregullores së klubit. Madje, mund të jetë ndëshkuar edhe financiarisht me një gjobë të majme.

Ganezi që erdhi në Shqipëri pas aventurës amerikane nuk ka bërë ndonjë gjë të madhe në Superiore. Në 15 takime është aktivizuar 893 minuta. Në dhjetë sfida ka qenë titullar, ndërsa në pesë të tjera i ka nisur nga stoli.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat