I harruar nga selektori i Shqipërisë, lider në Spanjë

Futboll

I harruar nga selektori i Shqipërisë, lider në Spanjë

Më: 7 maj 2021 Në ora: 18:41
I harruar nga selektori i Shqipërisë, lider në Spanjë

Ivan Balliu është një nga emrat e përfaqësueses shqiptare që po luan më rregullisht me klubin e tij. E megjithatë, kjo nuk i ka mjaftuar që të bindë trajnerin Edi Reja që ta grumbullojë në vitin e fundit.

Tekniku ka preferuar që para lojtarit që luan në Spanjë të grumbullojë Albi Dokën, apo edhe të mendojë zgjidhje të tjera për krahun e djathtë, ndonëse Balliu duket zgjidhja perfekte për një rreshtim 3-5-2 si aplikon Reja.

E ndërsa trajneri i kuqezinjve injoron plotësisht aftësitë e lojtarit, te Almeria janë mëse të lumtur pasi kështu Balliu nuk humb ndeshje të La Liga 2, e cila vazhdon edhe kur luhen ndeshjet e kombëtareve. Kjo situatë ka bërë që mbrojtësi shqiptar të jetë një ndër futbollistët më të aktivizuar në këtë edicion te Almeria, e cila është shumë e lumtur me rendimentin e tij. Për këtë arsye, klubi dhe futbollisti po bëhen gati të ulen në tavolinën e bisedimeve dhe të hedhin firmën mbi një kontratë të re.

Balliu ishte afrimi i parë i Sheikh Al Turki kur ky i fundit bleu Almerian dy vite më parë dhe duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e këtij klubi për rendimentin që ka shfaqur gjatë këtyre dy viteve.

Ai ka edhe një opsion për të zgjatur marrëveshjen për një tjetër vit, por sipas mediave spanjolle, palët do të ulen në tavolinë për një kontratë të re, pasi klubi do të vlerësojë Balliun duke përmirësuar edhe kushtet financiare të një lojtari i cili brenda pak kohë është kthyer në një nga kapitenët në ekip dhe shihet si një nga liderët e skuadrës, opinioni i të cilit ka shumë peshë.

Gjithsesi, para se të nisin negociatat, të dy palët do të presin fundin e sezonit, për të mësuar nëse e ardhmja e afërt do të jetë në La Liga 2 apo në La Liga, pasi ekipi është plotësisht në garë për kthimin në elitën e futbollit spanjoll.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat