Historia e rrallë e Albina Rrahmanit të Kosovës, kapitenia e rekordeve të kombëtares kuqezi

Futboll

Historia e rrallë e Albina Rrahmanit të Kosovës, kapitenia e rekordeve të kombëtares kuqezi

Më: 8 maj 2021 Në ora: 11:46
Albina Rrahmani

“Shiriti nuk të bën as lider më të mirë, as lojtare më të mirë edhe as njeri më të mirë. E them gjithmonë që nuk është shiriti ai që të bën kapitene”.

Kështu e nis rrëfimin e saj për Fshf.org kapitenia dhe futbollistja e Kombëtares shqiptare për femra, Albina Rrahmani nga Kosova, teksa pyetet për ndjesinë e të qenit kapitene e ekipit Kombëtar.

 “Duhet shumë punë dhe shumë përkushtim për të qenë shembull për vajzat e tjera. Jam unë ajo që mundohem t’i udhëheq dhe punoj për veten dhe për to, në mënyrë që të më shohin mua se si punoj dhe ato të punojnë si unë. Nuk është e lehtë, është shumë përgjegjësi, por është krenari dhe ndjenjë e veçantë.”

Por kush është Albina Rrahmani, e pagëzuar si “Lorik Cana” e ekipit Kombëtar shqiptar të femrave në futboll?

E lindur në 24 shkurt të vitit 1989 në Prishtinë, Albina Rrahmani është vajzë e dy shqiptarëve të Kosovës. E rritur në një shtëpi private, me një oborr të madh në një lagje në periferi të Prishtinës, Albina rrëfen se ndihet me fat për fëmijërinë që ka kaluar në atë vend. Një lagje pa vajza, por kjo nuk e ka penguar të luajë lojën më të shikuar në botë, me topin që herë përplasej në murin e shtëpisë dhe herë në këmbët e shokëve të lagjes.

“Ndihem në njëfarë forme me fat që kam lindur në Prishtinë, por jetoj në një lagje të qetë në periferi të kryeqytetit, në një shtëpi të madhe dhe ku fatkeqësisht ndoshta për kohën, luaja futboll vetëm me djemtë, pasi vajzat e tjera nuk luanin. Kështu e kam nisur unë futbollin, luaja me shokët si dhe luaja edhe vetë në shtëpi, ku shok kisha murin, ashtu sikurse e kisha edhe gjatë kohës së pandemisë, ku nuk na lejohej të dilnim jashtë”.

Për një kohë të gjatë, Albina e ka ushtruar futbollin thjesht si pasion, pasi mundësitë për t’u regjistruar në një klub futbolli për femra ishin zero. Mes shoqesh në shkollë, ajo mori vesh se një klub futbolli për femra, i quajtur “Kosova e Prishtinës” ishte hapur dhe kërkonte vajza që kishin dëshirë dhe interes për të luajtur futboll. Ajo tregon se i është bashkuar menjëherë klubit, duke u bërë kështu edhe futbollistja e parë femër e regjistruar ndonjëherë në Kosovë.

“Ndërsa ishim në shkollë, një shoqe më thotë se është hapur një klub futbolli për femra, Kosova e Prishtinës. Ishte data 4 tetor 2002, datë kur ky klub është themeluar. Nuk kam menduar dy herë, si, qysh, tek, por menjëherë kam shkuar të regjistrohem e t’i bashkohem atij klubi. Sot, mbaj kartën e lojtares së parë femër të regjistruar në Kosovë në futboll. Prej ditës që i jam bashkuar atij klubi, kurrë më nuk jam ndarë nga futbolli. Kam luajtur për 10 vite me Kosovën e Prishtinës, më pas kam kaluar në Shqipëri, ku jam aktivizuar me klubin e Juban Danjës, për një vit dhe pastaj iu bashkova Vllaznisë. Kam pasur eksperienca edhe jashtë vendit”.

Ndarja e kohës së barabartë mes shkollës dhe ndjekjes së pasionit, e në këtë rast, futbollit është e vështirë për çdo fëmijë, edhe për Albinën, e cila e konsideron si një provim jo të lehtë, por totalisht të kalueshëm. E diplomuar në Menaxhim Biznesi dhe në Shkenca Sportive, Albina ia ka dalë të përfundojë me sukses dy nivele Bachelor të dy fushave tërësisht të ndryshme njëra nga tjetra dhe të bëhet një model për të gjitha vajzat e tjera në futboll.

“Ndarja e kohës mes shkollës dhe futbollit ka qenë pak e vështirë. Më duhet t’i bëja të dyja paralel. Kam studiuar në degën “Menaxhim biznesi” dhe jam diplomuar në nivel Bachelor si dhe në “Shkenca Sportive”, ku edhe këtu kam përfunduar nivelin Bachelor të studimeve. Kur kam filluar futbollin, kam qenë në fillim të shkollës së mesme. Mbaj mend që zgjohesha herët në mëngjes, bëja stërvitje me djemtë, pasi ekipi e kishte stërvitjen pasdite dhe unë isha në shkollë. Pas stërvitjes, merrja autobusin për në shkollë dhe pas shkollës isha e regjistruar dhe ndiqja disa kurse. Kur kthehesha në shtëpi, më mbetej veç të konsumoja darkë, të bëja detyrat dhe të flija gjumë”.

Asgjë nuk ka qenë e lehtë për Albinën, e sidomos për t’u bërë ajo që është sot. Një karrierë e nisur mes sakrificash, për shkak të kushteve të vështira, por dashuria që ajo kishte për futbollin nuk lejonte asnjë pengesë t’i shkatërronte ëndrrën. “Futboll pa kushte”, e megjithatë, edhe kur dashuron dikë në jetë, e dashuron pa kushte. “Nuk i kemi pasur kushtet që kemi sot, thuajse asgjë. Kur kam filluar me Kosovën e Prishtinës, kemi pasur një fushë shumë të keqe, ku si porta vendosnim dy gurë dhe vetëm një a dy topa gjithsej. Fugoni, mjeti ynë i transportit, përveç se shërbente  si mjet transporti, shërbente edhe si dhomë zhveshjeje për ne. Mund të duket e pabesueshme, por kemi kaluar shumë. Një karrierë e nisur mes sakrificash, por dashuria për futbollin i bën të gjitha të harrohen.”

E më pas dëmtimet në lojë, që gati-gati, rrezikuan ta linin jashtë fushe. Por Albina tregoi se as në këto momente të vështira, që rrezikonin shëndetin e saj, nuk mendoi ta linte futbollin. “Kam dëmtuar ligamentin gjatë një ndeshjeje dhe kam kaluar një operacion shumë të vështirë, që më mbajti për një kohë të gjatë jashtë fushës. Kam qëndruar me paterica dhe mbaj mend që dilja në qytet shpesh dhe njerëzit më shihnin të habitur, pasi bëja edhe aktivitet fizik. As atëherë nuk hoqa dorë nga kjo lojë…”

Mbështetje të madhe ka pasur nga prindërit e saj, ku teksa tregon për ta, edhe emocionohet, duke u shprehur se janë heronjt heronjtë e saj. “Prindërit e mi kanë qenë ata të cilët më kanë mbështetur dhe më kanë thënë të vazhdoj rrugën time, të ndjek ëndrrat e mia, por gjithmonë, shkolla ishte kryesorja. Për mua ata janë heronjtë e mi, pasi kanë punuar shumë që fëmijëve të tyre mos t’u mungonte asgjë.”

Albina është ndër të parat femra që është bërë pjesë e Kombëtares shqiptare. Kur pyetet se a e mban mend ditën kur ka marrë ftesën për të qenë pjesë e ekipit, asaj i qeshin sytë dhe fillon ta tregojë sikur të ishte i njëjti moment, ndërsa flet edhe për dilemat mes zgjedhjes Shqipëri-Kosovë.  “Kur kam marrë ftesën kam qenë njeriu më i lumtur në botë. Ftesa erdhi tek ekipi i Kosovës së Prishtinës. Vendimi im është marrë në atë moment dhe nuk kam menduar kurrë ta ndryshoj, as kur mora ftesën për të përfaqësuar Kosovën. Kosova është vendlindja ime, por ne identifikohemi me ngjyrat kuqezi dhe jam krenare që luaj për Shqipërinë”.

Ndërsa rrëfehet për fshf.org, ajo tregon duke qeshur se si ka qenë grumbullimi i parë me ekipin në Kamëz.  “Dita e parë në grumbullim ka qenë shumë e veçantë. Unë dhe disa vajza të tjera nga Kosova kishim marrë ftesën për të qenë pjesë e Kombëtares. Pasi arritëm në Kamëz, siç ishim të gjitha, trajneri na kërkoi të tregonim se në çfarë pozicionesh luanim. Mbaj mend që vetëm unë dhe një vajzë tjetër dolëm në mbrojtje dhe pjesa tjetër në mesfushë dhe sulm.”

Për të, roli i mbrojtëses në futboll do të thotë shumë, që nga leximi shumë i mirë i lojës, e deri te përqendrimi e komunikimi me vajzat e tjera në fushë. Kur e krahason me Canën, buzëqesh, e megjithatë flet në mënyrë modeste. “Unë nuk e shoh veten si Cana, unë jam Albina. Cana është shumë lart për mua, është një nga lojtarët që më ka bërë ta dua më shumë futbollin e sidomos Kombëtaren. Shpresoj dhe do kisha qenë shumë e lumtur nëse ndonjëherë në jetë, dikush do të më shihte mua, si e shikoj unë Canën.”

Albina tregon rëndësinë që ka fanella e Kombëtares për të, e teksa flet për këtë pjesë, fjalët i ngecin dhe mezi i lidh me njëra-tjetrën. E konsideron Kombëtaren si arritjen më të madhe në karrierë për të dhe për çdo njeri tjetër që merret me futboll. “Fanella e Kombëtares, ngjyrat dhe flamuri kuqezi janë gjëja më e shtrenjtë për mua. Ndjenja më e bukur në botë, që nuk e përshkruaj dot me fjalë dhe nuk do ta ndërroja me asgjë në jetë, sesa të këndosh himnin e flamurit në fushë. Është nder dhe krenari, nëse ndonjëherë do të më jepej rasti për t’i mbrojtur këto ngjyra, qoftë edhe duke luajtur futboll, do të bëja çmos. Për mua, Kombëtarja është arritja më e madhe në jetë. Dhe nëse dikush do të jetë pjesë e Kombëtares, duhet të punojë shumë, jo vetëm me ekipin, por edhe individualisht”.

Si çdo lojtare tjetër, e sidomos me një jetë futbollistike kaq të gjatë, thuajse 19 vite në futbollin profesionist, edhe ajo kujton me endje disa nga momentet më të bukura në futboll. Si kapitene e Kombëtares, kujtimet i lidh me Shqipërinë, e ndan me ne dy prej tyre. “Kur jemi kualifikuar në paraeliminatore në Maltë për herë të parë me Kombëtaren. Ishte hera e parë që merrnim pjesë  në një kompeticion europian, ishim vajza të reja, pa eksperiencë, as Ligë nuk kishim dhe sërish ia dolëm. Tani që e mendoj, kuptoj se ne shqiptarët jemi vërtetë luftarakë, jemi mësuar me luftëra, jemi mësuar mos t’i arrijmë gjërat lehtë, por sërish ia dalim!”

“Hera e dytë ka qenë në 2017, kur arritëm të kualifikoheshim për Eliminatoret e Kupës së Botës për femra, ku siguruam vendin e parë në grup në raundin paraeliminator. Kemi qenë në të njëjtin grup me Kosovën, që e mundëm, barazuam me Maltën dhe ndeshjen e tretë fituam me Greqinë në minutën e 93-të të takimit.”

Ndërsa flasim me Albinën, ndalemi edhe te ndeshja me Kosovën, duke marrë parasysh edhe numrin e madh të vajzave që vijnë nga qytetet shqiptare në Kosovë. “Na dukej sikur minutat ishin vite, nuk përfundonte sfida. Gjatë gjithë ndeshjes na dridheshin këmbët, kishte shumë presion dhe nuk dija çfarë të bëja më parë, por kam bërë të pamundurën që t’i mbaja shoqet e ekipit sa më lirshëm.

Për të ardhmen ende nuk i ka qartësuar idetë, por ka kuptuar se Albina i përket këtij vendi dhe dëshira për të vazhduar dhe kontribuar këtu është e madhe. “Për momentin po bëj kursin për të marrë licencën e trajneres UEFA A. Si qëllim kam ta marr edhe UEFA PRO në të ardhmen e afërt, por ambiciet e mia janë më lart. Sa më shumë kalojnë vitet, aq më shumë kuptoj se unë i përkas këtij vendi dhe dua të vazhdoj këtu, për t’i ndihmuar vajzat e vogla që ato të mos kalojnë gjërat që më është dashur mua të kaloj.”

Në fund të rrëfimit, nuk nguron të japë një mesazh për të gjitha vajzat e vogla që e duan futbollin dhe e shohin më shumë se sa një lojë si dhe për prindërit shqiptarë, një pjesë e të cilëve, mentalitetin e kanë më të rëndësishëm se plotësimin e ëndrrës së fëmijës së tyre.

“Vajzave, që duan të luajnë futboll, dua thjesht t’u them se duhet shumë punë e sakrificë, por gjithçka arrihet. Ndërsa për prindërit, do t’i isha drejtuar më shumë në formë lutjeje, sesa kërkese, që t’i lënë fëmijët  të ndjekin ëndrrat dhe t’i mbështesin ato, çfarëdo lloj ëndrre të kenë. Futbolli nuk është thjesht një sport, është shumë më shumë. Përmes futbollit ruhet shëndeti i fëmijës, si dhe i mban ata të shoqëruar me fëmijë të tjerë, të mirë e të shëndoshë si vetja. Përpos çdo të mire që sjell futbolli për fëmijën, nderin më të madh ia bën prindërve. I bën ata krenarë!”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat