Mbyllet faza çerekfinale, përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste!

Futboll

Mbyllet faza çerekfinale, përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste!

Më: 2 qershor 2021 Në ora: 13:59
Mbyllet faza çerekfinale, përcaktohen çiftet gjysmëfinaliste!

Janë zhvilluar ditën e hënë ndeshjet e fazës çerekfinale të Kampionatit Kombëtar të futbollit 5×5, nga ku janë përcaktuar edhe ekipet që do të kalojnë në gjysmëfinale. Katër ndeshje emocionuese u luajtën në kompleksin “Republika” mbrëmjen e djeshme, ku Vila L luajti kundër ekipit të Balldrenit,në një sfidë që prodhoi jo vetëm gola por edhe shumë emocione. 6-4 përfundoi ndeshja në favor të Vila L, që me këtë triumf kalon në fazën gjysmëfinale.

Ndeshja Prestige – Tirana 5×5 përfundoi kohën e rregullt në barazim 2-2, duke u vendosur gjithçka nga penalltitë. Nga 11 metërshat u treguan më të saktë djemtë e Tirana 5×5, të cilët fituan 6-5 dhe siguruan kështu gjysmëfinalen.

Ekipi fitues i zonës së Korçës, MFC Kalaja mundi ekipin fitues të zonës së Durrësit, Diamondin, me rezultatin e ngushtë 2-1. Një ndeshje e mbushur me shumë raste, por që përfundoi në favor të korçarëve, të cilët prenë biletën e gjysmëfinales.

Ekipi tjetër gjysmëfinalist është Pepa, që mundi ekipin e Provincës me rezultatin 11-10 me penallti. Koha e rregullt përfundoi me shifrat 1-1 dhe u desh që skuadrat t’i drejtoheshin 11 metërshave për të përcaktuar ekipin gjysmëfinalist.

Kështu, katër ekipet gjysmëfinaliste të këtij edicioni të parë të Kampionatit Kombëtar të futbollit 5×5 janë: Vila L, MFC Kalaja, Pepa, Tirana 5×5.

Në gjysmëfinale, sipas skemës së përcaktuar nga shorti, do të përballen çiftet:

Pepa – MFC Kalaja

Tirana 5×5 – Vila L

Ndeshjet do të zhvillohen në kompleksin “Republika” më 4 qershor ndërsa finalja e madhe do të luhet në kompleksin “Skënder Halili”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat